70-vjetori i Çlirimit, homazhe të rënëve në luftë

29/11/2014 00:00

Kurorat me lule të vendosura në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” çelën serinë e aktiviteteve të 70-vjetorit të çlirimit të vendit.

Presidenti i Republikes, kryetari i Kuvendit, kryeministri por edhe qytetarë nderuan të rënët e luftës dhe u përulën përpara memorialit Nëna Shqipëri, në përkujtim dhe nderim të jetëve të dhëna për liri.

Pavarësisht se opozita nuk e njeh 29-n si datë të çlirimit, krerët e institucioneve të vendit kanë qenë bashkë në këtë ceremoni, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës ia ka përcjellë stafetën për pjesëmarrje nënkryetares së Bashkisë, Nevila Xhindi, që ka qenë pjesë e këtij aktiviteti së bashku me krerët më të lartë të shtetit.

Në paradën ushtarake në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes, e hapur nga komandanti i Forcave të Armatosura, presidenti Bujar Nishani, u zhvilluan një sërë demonstrimesh në tokë dhe në ajër të forcave tona ushtarake.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi faktin se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropën Juglindore që u çlirua pa ndihmë. Pa shmangur devijimin që pësoi çlirimi i vendit me vendosjen e regjimit më të egër diktatorial në vend, ministrja e Mbrojtjes nuk shmangu as debatin për rishkrimin e historisë së luftës.

Si faqe të ndritur të historisë shqiptare, ajo u shkrua – tha numri një i Mbrojtjes – nga gjaku i mijëra të rinjve dhe të rejave, e sakrificave të mijëra të tjerëve që dolën gjallë prej kësaj lufte barbare.

Duke i paraprirë një paragjykimi të mundshëm për përzgjedhjen e urimit përmbyllës, ministrja Kodheli ftoi për të punuar të gjithë për një qëllim: integrimin.

Top Channel