Egjipt, Mubarak shpallet i pafajshëm

29/11/2014 00:00

Gjykatat egjiptiane shpallën të pafajshëm ish-presidentin Hosni Mubarak,
i vënë nën akuzë për vrasjen e protestuesve gjatë revoltave të 2011-ës
dhe për korrupsion.

Vendimi u prit me brohoritje nga të pranishmit në sallë, familjarë, të afërm dhe mbështetës të ish-presidentit.

Mubarak u shpall i pafajshëm edhe për akuzën e korrupsionit që lidhej me eksportin e gazit në Izrael. I vetmi vendim që mbeti në fuqi ishte ai i shpërdorimit të fondeve publike, për të cilën Mubarak, 86 vjeç është duke vuajtur një dënim prej 3 vitesh burgim.

I pafajshëm u shpall edhe ish-Ministri i Brendshëm në kohën e Mubarak, Habib al-Adly dhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë, ndaj të cilëve rëndonte e njëjta akuzë që lidhej me protestat e 2011, ku qindra protestues mbeten të vrarë nga plumbat e policisë dhe ushtrisë.

Në 2012, kur në pushtet ishte Mohamed Morsi, Mubarak u shpall fajtor për konspiracion, vrasje të protestuesve dhe korrupsioni dhe së bashku me bashkëpunëtorët më të afërt të tij u dënua me burgim të përjetshëm.

Por vitin e shkuar, menjëherë pas rrëzimit të Morsit dhe marrjes së pushtetit nga ushtria u urdhërua një rigjykim i dosjes hetimore.

Mubarak udhëhoqi Egjiptin nga viti 1981 deri në vitin 2011 kur u rrëzua nga protestat masive që përfshinë vendin, pjesë e asaj që u quajt “pranvera arabe”. Para se të aktivizohej në politikë, 86-vjeçari ka qenë një oficer karriere në ushtrinë egjiptiane.

Top Channel