Jo çdo postim në rrjetet sociale është i përshtatshëm, sidomos kur bëhet fjalë për ata që quhen ‘shërbëtorë publikë’.

Tre oficerë të policisë angleze me detyrë në një nga lagjet më problematike të Londrës, shfaqen në një imazh aspak serioz. Me shënimin “duke patrulluar”, rreshteri Peter Shaw publikoi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter foton që tregonte atë së bashku me dy kolegë të tij duke u argëtuar në një kënd lojërash për fëmijë.

Tre efektivët ja dolën mbanë të mbillnin humor, por ajo që korrën ishin kritikat. Mijëra përdorues e konsideruan të pavend sjelljen e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtësit e rendit në një nga zonat më problematike me numër të madh vjedhjesh e grabitjesh.

Lumi i kritikave ka detyruar autorin e postimit të kërkojë ndjesë po nëpërmjet rrjetit social.

“Kërkoj ndjesë nëse postimi i mëparshëm ishte pavend. Oficerët e policisë ndodheshin në Markfield Park për të parandaluar sjelljet antishoqërore”, shkruan Shaw.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel