Festa, komunistët me fotot e Enverit, protestojne ish të përndjekurit

29/11/2014 00:00

Mëngjesi i 70-vjetorit të Çlirimit të vendit në kryeqytet nisi me një
maratonë të shkollave nëntëvjecare dhe të mesme të organizuar nga
Ministria e Arsimit dhe Federata Shqiptare e Atletikës.

Pak minuta më pas, dhjetëra komuniste marshuan përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Me fotot e Enver Hoxhës dhe pankartat ‘Lavdi Dëshmorëve të Atdheut’ ata u ndalën për disa minuta para kryesisë së Kuvendit, për t’u shpërndarë më pas qetësisht.

Të njëjtin itinerar me ta përshkoi një tjetër marshim, ai i ish të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre. Ata ecën përgjatë bulevardit me një banderolë të madhe ku shkruhej ‘Paqja mbi urrejtjen në Europë, pa datat simbol të diktaturës. 4500 të pushkatuar presin një varr se i vrau 29 nëntori’.

Ndërkohë nga ora 9:00 e mëngjesit në orën 15:00 Kuvendi i Shqipërisë, kryesia dhe salla plenare qëndruan të hapura për publikun. Me dhjetëra qytetarë, përfshirë fëmijë dhe të rinj vizituan sallën ku zhvillohen seancat plenare, duke përfituar për të shkrepur edhe foto. Në Ditën e Çlirimit nga nazistët, interes të veçantë për të vizituar parlamentin shqiptar pati edhe nga turistë gjermanë.

“Unë jam turist, vij nga Gjermania. Po udhëtoj në jug të Europës dhe kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Kam shumë interes të shoh Tiranën, më thanë se kjo është një festë kombëtare dhe në këtë ditë është e mundur të vizitosh këtë ndërtesë, thashë mos ta humbas këtë shans”, thotë turisti.

Mbrëmja do të vazhdojë me Natën e Bardhë dhe koncertin që do të sjellë kete në skenë ne sheshin “Nene Tereza”, një nga artistet më në zë të Britanisë së Madhe me famë ndërkombëtare, Jessie J.

Top Channel