Shtypi në gjuhën maqedonase në Shkup ka ngritur dyshime për ekzistencën e një fabrike për falsifikimin e pasaportave të Maqedonisë.

E përjavshmja “Fokus” ka publikuar një video-material dhe disa fotografi, ku shihet se si në një lokacion të panjohur përgatiten dhe shtypen pasaporta biometrike të falsifikuara.

Materiali i siguruar dyshohet të jetë bërë në periudhën parazgjedhore, ndërsa në të shfaqen pasaporta dhe materiale të letrës të shpërndarë në dyshemenë e një shtëpie private.

Po ashtu, vihen re dy makinat që dyshohet se janë përdorur për shtypjen pasaportave dhe një vulë. Por Ministria e Punëve të Brendshme ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të pasaportave apo ekzistencën e ndonjë fabrike ilegale për përgatitjen e tyre.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se pasaportat e Maqedonisë janë ndër dokumentet më të sigurta në botë dhe akuzoi opozitën maqedonase se qëndron prapa këtyre temave joserioze.

“Tentativa për të inskenuar ndonjë aferë është e dështuar, pasi shihet qartë se qasja është joprofesionale. Ata që e kanë publikuar këtë temë nuk e njohin procesin e përpunimit të pasaportave. Në Maqedoni nuk prodhohen pasaportat. Mostrat origjinale të pasaportave ne i sigurojmë nga Gjermania, prej kompanisë e cila prodhon edhe kartmonedhën Euro dhe më këto dokumente personalizohen. Kështu që, nëse ndokush do të tentonte të falsifikonte këto dokumente do të zbulohej shumë lehtë”, deklaroi Jankullovska.

Ministrja ftoi opozitën që t’i dorëzojë në polici faktet që posedon për dyshimet e ngritura me qëllim që ky rast të hetohet dhe të zbardhet e vërteta.

Nga ana tjetër, partia maqedonase në opozitë, LSDM, ka thënë se po ndjek me vëmendje skandalin e publikuar në të përjavshmen “Fokus”.

Sipas LSDM-së, ky skandal por edhe reagimi i pushtetit janë dëshmi se ka dështuar sistemi i kontrollit, manipulimit dhe fshehjes së të vërtetës nga ana e VMRO-DPMNE-së, që kontrollon institucionet e shtetit në Maqedoni.

Top Channel