Meta: LANÇ, baza e rrugëtimit të sotëm evropian

29/11/2014 00:00

Një tjetër aktivitet me rastin e Ditës së Çlirimit është zhvilluar pasditen e së shtunës, në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku të pranishëm kanë qenë veteranë, familjarë të dëshmorëve të luftës dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar kontributin e dhënë nga dëshmorët dhe protagonistët e tjerë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, kontribut që sipas tij hodhi themelet e rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

“Dita e 70-vjetorit te Çlirimit është një ditë e veçantë, është një ditë jubilare. Sot jemi vend anëtar i NATO-s dhe kandidatë për në BE. Në themelet e NATO-s dhe BE qëndrojnë vlerat antifashiste. Pa 29 nëntorin e 44-s nuk do të kishim mundësi të festonim 28 nëntorin e 1912-s”, ka thënë Meta.

Kryetari i Kuvendit ka përfituar nga rasti të prezantojë edhe një ekspozitë të vogël me fotot e dëshmorëve si dhe me sendet personale të tyre.

“Luftëtarët, përveç se trima, ishin njerëz me ide dhe botë të pasur shpirtërore. Ata ishin njerëz që me veprën, idealizmin dhe sakrificat e tyre e kanë merituar respektin tonë dhe të gjeneratave që do të vijnë. Ata i garantuan Shqipërisë të ardhmen evropiane që po ndërtojmë sot dhe nisur nga vlerat e tyre të ecim të sigurt drejt kësaj rruge”, ka shtuar Meta.

Më pas në këtë eveniment fjalën e kanë marrë të pranishmit, mes të cilëve kanë qenë edhe historianë të njohur. “Historinë do ta shkruajmë me profesionalizmin e historianëve. Luftën e keni bërë ju, ne kemi për detyrë ta reflektojmë sipas realitetit”, ka thënë historiani Paskal Milo.

Top Channel