70-vjetori, pritje festive në Pallatin e Kongreseve

29/11/2014 00:00

Ceremonia përmbyllëse për 70-vjetorin e Çlirimit të vendit ishte organizuar në formën e një pritjeje festive, ku ishin të ftuar veteranë të luftës, personalitete nga fusha të ndryshme, si dhe diplomatë të huaj.

“Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit dhe radhitjes së Shqipërisë mes aleatëve të Luftës së Dytë Botërore”, ishte diçitura që shoqëronte ftesën drejtuar mysafirëve të ceremonisë.

Evenimenti u hap nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili u drejtoi një thirrje gjithë të rinjve.

“Mos e shohin 29 nëntorin thjesht një si një tjetër datë në histori, pa domethënie, pa emocion. Por ta shohin atë ashtu siç është, një nga momentet më të shënuara të historisë së tyre. Një moment që, paçka ngjarjeve që ndodhën më pas, e vendosi Shqipërinë në anën e fitimtarëve të një lufte të drejtë”, u shpreh zv.kryeministri Niko Peleshi.

“Ka edhe një të vërtetë të madhe që pak përmendet dhe nuk duhet ta harrojmë asnjëherë. Edhe pse fitimtarë në luftë, në përfundim të saj vendi ynë rrezikonte seriozisht të trajtohej tragjikisht si humbës në këtë luftë, duke u kërcënuar me shkëputje, ndarje dhe humbje të territorit. Ndaj ne sot mund të themi me zë plotë, se pa 29 nëntorin e 1944-s nuk do të kishim mundësi të festonim as 28 nëntorin e vitit 1912”, deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij theksoi se asgjë nuk mund ta cënojë dhe errësojë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, e aq më tepër datën 29 nëntor.

“Sot, besoj që nuk ka më të voglin se, sidoqoftë, të gjitha përpjekjet e bëra për ta cënuar, apo edhe për ta fshehur 29 nëntorin pas 28 nëntorit, kanë dështuar dhe janë të destinuara të dështojnë. Kjo, sepse ajo çka erdhi pas luftës nuk ishte produkti i synuar nga lufta, por një devijim nga ëndrrat dhe nga aspiratat e atyre që e bënë luftën. Përkujtimi i saj jo vetëm që është detyrim, por është në të njëjtën kohë edhe një mundësi për të mos harruar kurrë se pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Shqipëria që kemi sot mund të kishte qenë krejt ndryshe. Jo krejt ndryshe për më mirë, por krejt ndryshe për shumë më keq”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama.

Top Channel