Lufta në sytë e “një fëmije”

29/11/2014 00:00

Lufta Nacional Çlirimtare ka patur edhe heronjtë e heshtur. Në atë kohë Vasilika Sala ishte vetëm 13-vjeçe. Në rrëfimin e saj për gazetaren Monika Stafa, ajo tregon se si e pa luftën dhe si u mbështet nga njerëzit e thjeshtë.

Monika Stafa: Nuk e përfytyroj dot një vazë të përfshirë në luftë. Si ishte atëherë?


Vasilika Sala
: Ishte dashuria për vendin, për lirinë tonë. Dhe kur shihnim që organizoheshin partizanët, që vinin grupe grupe, disa të veshur e disa jo, mobilizoheshim edhe ne. Duhet t’i ndihmonim me ndonjë veshje, që i bënim ne me triko, bluza e çorape.


Monika Stafa: Si u përfshive ti në këtë aktivitet
?


Vasilika Sala
: Nga nëna ime. Ajo ishte aktiviste, ishte kryetare e këshillit të luftës.


Monika Stafa: Sa vjec ishte dhe si e mban mend atë kohë, si e ndihmoje nënën
?


Vasilika Sala
: Isha 12 vjeç. Partizanët vinin në shtëpinë tonë natën. Gjatë ditës jo sepse kishim shtëpi në rrugë strategjike dhe binin në sy. Kur i prisja ishim shumë të gëzuar sepse donim t’i ndihmonim me sa kishim mundësi. Partizanet vinin të raskapitura e të palara. Mundoheshin atë natë që të laheshin, të thanin rrobat në oxhaqe dhe nesër t’i vishnin. Pasi i përcillja kthehesha gjithmonë duke qarë sepse mendoja, ne do të flemë mirë ndërsa ato do të shkojnë të luftojnë në male. Synimi i tyre ishte që të çlirohej vendi, asgjë tjetër. S’mendonin se ç’do të bëhej pas lufte.


Monika Stafa: Ç’moshë kishin partizanet dhe partizanët
?


Vasilika Sala
: Nga 15 vjeç e sipër. Në atë kohë nuk mendohej për pushtet, por si të çlirohej vendi. S’mendonte njeri ç’do të bëhej më pas, kuadro apo çfarë.


Monika Stafa: Kur i shihje në shtëpinë tënde, mban mend ndonjë kujtim? Si për shembull për shoqen tënde Nimeten
?


Vasilika Sala
: Nimetja ishte vajzë e zgjuar. Gjithnjë thoshte ‘do iki edhe unë partizane’. Motrën e saj e kisha xhaxheshë dhe ajo kishte ardhur tek motra, ndenji 3-4 muaj dhe donte që të ikte. Po ika nga motra do dal partizane, thoshte. Shkoi në shtëpinë e babait, s’ndënji aty asnjë javë. Vajti një grup partizanësh dhe iku me ta. Ajo nuk bëri asnjë vit dhe u vra në luftë me gjermanët. Ishte vetëm 15-16 vjeç. Ata nuk luftonin për diktaturë, por për liri. Dhe lirinë kërkonin, se ç’do vinte më pas nuk merrnin vesh.


Monika Stafa: A ishte mirë për shqiptarët që morën pjesë në Luftën Antifashiste
?


Vasilika Sala
: E çliroi vendin nga pushtuesit dhe nisi rimëkëmbjen ekonomike nga vajzat e djemtë. Pasi luftuan në mal të rinjve u dolën punë të reja. Fabrika e pallate që u ndërtuan më pas u ngritën nga të rinjtë e të rejat duke bërë punë vullnetare.

Top Channel