Jessie J rrëfehet për Top Channel

29/11/2014 00:00

Këngëtarja e famshme britanike, Jessie J, para koncertit në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për 70-vjetorin e Çlirimit ka qenë në studiot e Top Channel. Gazetarja jonë Ornela Islami e intervistoi këngëtaren duke sjellë përshtypjet e saj nga kjo vizitë në Shqipëri.

Orinela Islami: Ju këndoni “No body’s perfect”, askush s’është perfekt, por duket se gjithçka po shkon perfekt me ju. Jeni e bukur, e talentuar dhe shumë e suksesshme. Në moshën 26-vjeçare keni shitur me miliona disqe dhe siç po flisnim më parë bashkë, ju edhe udhëtoni shumë. Si arrini t’ia dilni?

Jessie J: Ndonjëherë ju nuk menaxhoni, por ju dashuroni atë që beni. Unë e dua atë që bëj. Ekipi im punon shumë. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe faleminderit që më ftuat. Jam e emocionuar që do të këndoj sot. No body’s perfect, asgjë s’është perfekte, por në fakt karriera ime po ecën shumë mirë për momentin dhe po e shijoj këtë. Jam shumë e lumtur me sukseset e këngëve të fundit.

Ornela Islami:
Ju thoni se nuk jetoni në frikë dhe nuk i mohoni vetes asgjë. Duhet të jetë një përgjegjësi e madhe të dish se ke miliona sy mbi vete, pra sesi njerëzit të shihin, sidomos të rinjtë…

Jessie J: Po, është padyshim një presion. Ti nuk mund të jetosh jetët e të tjerëve, por tënden. Është e pamundur t’i bësh të gjithë të lumtur. Duhet të jetosh jetën për veten tënde. E di shumë mirë që jam njeri kontrovers, por përpiqem që të mos ofendoj askënd. Përpiqem të jem e përgjegjshme, por jetoj jetën time dhe ka momente që disa njerëz janë dakord me çfarë bëj dhe të tjerë jo. Jetoj në teh, por nuk pritem.

Ornela Islami: Keni shkruar këngë mbi jetën tuaj. Mund të flasim për ndonjë prej tyre që ju përfaqëson më shumë?

Jessie J: Një nga këngët e para që kam shkruar, “Who you are”. Ishte në albumin e parë, ka të njëjtin emër dhe albumi. E kam shkruar në një moment dobësie për mua, isha e përhumbur dhe e trishtuar. Shkrova këngën dhe ajo më shpëtoi. Mendoj se ka qenë kënga që ka patur më shumë impakt tek fansat e mi, sepse ka shpëtuar dhe ata. Kjo është gjëja më shpërblyese. Edhe tani e kam nga këngët më të dashura. Një tjetër është “Price Tag”, nuk është çështje parash. S’kam qenë kurrë njeri që jeton për paratë. Çdo lek që fitoj, punoj shumë për t’i bërë. Jam shumë bujare dhe ndihmoj njerëz. Edhe “Nobody’s perfect”, askush s’eshte perfekt. Lufto për dashurinë, kam dhe një tatuazh këtu, që është shumë i rëndësishëm për mua, pra të çohesh dhe të luftosh për dashurinë tënde. Kjo është perfekte dhe për këtë mbrëmje.

Ornela Islami: “Bang Bang”. Ju, Nicki Minaj dhe Ariana Grande. Jeni të mrekullueshme, por mendoj se jeni dhe shumë të ndryshme. Si përfunduat bashkë?

Jessie J:
Producenti që shkroi këngën më telefonoi dhe më tha se kishte këtë këngë dhe nëse doja ta këndoja. Më tha se Ariana dhe Nicki donin edhe ato. Një ‘girl band’ e mirë. Nuk ishim një grup me njerëz të ngjashëm, por pikërisht sepse jemi kaq të ndryshme doli mire. Secila nga ne solli të vetën.

Orinela Islami:
E keni regjistruar veç e veç, apo jo?

Jessie J:
Po. Hera e parë që u pamë ishte në setin kur realizuam videon. Regjistruam veç e veç sepse ishim shumë të zëna dhe s’mund të ishim të gjitha bashkë njëkohësisht.

Ornela Islami: “Sweet Talker”, albumi juaj i fundit. Keni thënë se përfaqëson më të mirën tuaj.

Jessie J: Mendoj se po. Tek albumi i parë po zbuloja kush isha. Tek i dyti, që titullohet “Alive”, mendoj se isha shumë e lirë. Pra, tek i pari po bëja një gjë të re, tek i dyti po krahasoja, tek i treti, tashmë jam 26 vjeç dhe e njoh veten. Di çfarë besoj, di çfarë pëlqej dhe çfarë nuk pëlqej. Di si dua të përfaqësohem dhe si jo. Po ndryshoj, po zhvillohem, po mësoj, po rritem dhe po bëhem gruaja që do të jem gjithmonë. Mendoj se është e rëndësishme ta ndaj këtë në muzikën time.

Ornela Islami: Jam e sigurt që do të jetë shumë i mirë koncerti juaj sot. Shumë shqiptarë lexuan postimin tuaj në Facebook kur e bëtë me dije se do të vinit dhe duket se  janë të gëzuar që jeni këtu. Po ju si ndiheni?

Jessie J: Është hera ime e parë këtu dhe jam e nderuar që të përfaqësoj lirinë. Është festë dhe une e di sesa e rëndësishme është për këtë vend. Shpresoj që njerëzit të vijnë në koncert, të harrojne shqetësimet dhe të kënaqen. Të jenë të lirshëm, ta shijojnë, të bërtasin, të qeshim, të këndojnë e të kërcejnë dhe të shijojnë faktin që janë të lirë.

Top Channel