Përurohet godina e re e Ministrisë së Integrimit

29/11/2014 00:00

Jo pa qëllim është zgjedhur festa e Çlirimit të vendit për të inaguruar ambjentet e reja të Ministrisë së Integrimit.

Stafi i ministrisë që lidh Tiranën zyrtare me Brukselin në procesin e komunikimit për integrimin e vendit, është vendosur tek ambjentet e reastauruara tek ish-qendra albanologjike.

Këto ambjente të reja mesa duket e kanë ministren Klajda Gjosha me ambicje të rritura për procesin.

“Në këto ambjente do përballojmë gjithë vështirësitë dhe etapat e procesit të integrimit, jo vetëm për hapjen e negociatave, por deri në anëtarësimin me të drejta të plota”, deklaroi Gjosha.

“Statusi i kandidatit është një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar në rrugën e duhur dhe shpresoj që edhe cilësia e punës e institucionit që inaugurojmë sot do të jetë në lartësinë e duhur”, tha nga ana tjetër kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama dha një mesazh, që nuk e ka harruar në çdo aktivitet, atë se nderimin më të madh heronjve ua kthejmë duke punuar për të ardhmen, duke u shprehur me realizëm për procesin integrues.

“Çelim sot dyert e këtij institucioni, që është qendra e gravitetit të përjekjeve tona për të ndërtuar të ardhmen evropiane. Keni në dorë një rol të dorës së parë në një proces që bëhet çdo ditë e më i vështirë e jo më i lehtë”, i tha Rama stafit të Ministrisë së Integrimit.

Top Channel