Bundesliga “vritet” nga Bayerni, +10 nga ndjekësit

30/11/2014 00:00

Bayern Munchenit i mjaftoi një gjuajtje “vrastare” e Robben në pjesën e parë, për të kaluar edhe kundërshtarin e radhës në Bundesliga, Hertha Berlin, për javën e 13 të kampionatit.

Në Berlin, kryesuesit dominojnë sfidën, por marrin një fitore minimale, e megjithatë e mjaftueshme për të çuar diferencën në 10 pikë larg nga Wolfsburgu ndjekës, i cili do të luajë të dielën ndeshjen e tij ndaj M’gladbachut, si dhe nga Leverkuseni, që shkatërroi 5-1 Këlnin.

Goleadë edhe për Schalke 04, që duket se ka gjetur rrugën e duhur drejt vendeve të kreut pas ardhjes së Di Matteos në pankinë, teksa këtë javë kanë mposhtur 4-1 Mainzin, ku ra në sy trigolëshi i Huntelaar.

Pavarësisht gjithçkaje, Bundesliga sërish duket një “monolog” i Bayernit, teksa bavarezët edhe në një ditë “të keqe” të sulmuesve arrin sërish të fitojë. Neuer thuajse nuk u impenjua fare, ndërsa Kraft nga ana tjetër bën mrekullinë në minutat e fundit, duke mos lejuar të thellohej humbja.

Një gjë që të bie në sy është se vendi i katërt, aktualisht zihet nga Augsburgu, një ekip surprizë në këto javë të para kampionati, teksa këtë javë kanë mposhtur 3-1 Hamburgun, edhe pse kanë qenë në disavantazh fillimisht. Një fitore shpresëdhënëse për “mbijetesë” edhe për Werder Bremen, 4-0 ndaj Paderbornit.

Top Channel