Sarkozy merr kreun e partisë, por nuk shmang rivalët

30/11/2014 00:00

Nicolas Sarkozy fitoi zgjedhjet për kreun e partisë konservative UMP gjatë së shtunës, një hap tejet i rëndësishëm drejt synimit për t’u ribërë President i Francës për herë të dytë, por fitorja e tij nuk ishte aq decizive sa duhej për të shmangur rivalët e tij brenda partisë.

Pasi humbi Presidencën kundrejt socialistit Francois Hollande në vitin 2012, Sarkozy bëri një rikthim të bujshëm në shtator, edhe pse sondazhet e fundit tregojnë se popullariteti i tij mes anëtarëve të UMP-së së goditur nga kriza, është disi i luhatur.

Sarkozy fitoi 64,5 përqind të votave, gjë që sipas analistëve është e pamjaftueshme, pasi duheshin të paktën 70 përqind e tyre që të shuhej thuajse çdo zë kundërshtar në partinë e tij, e për t’u bërë kandidati i padiskutueshëm për betejën presidenciale të vitit 2017. Ai fitoi 85% të votave herën e fundit që kishte marrë frerët e partisë UMP, në vitin 2004.

Alain Juppe, një “figurë me peshë” e kësaj partie, i cili kishte deklaruar më herët se do të donte të ishte kandidat për Presidencialet 2017, tha pas këtyre zgjedhjeve se nuk do të tërhiqej nga synimet e tij.

“Jam gati ta ndihmoj atë, sigurisht, nëse ne ndërmarrim kursin që kam përcaktuar unë, duke mbledhur të djathtën dhe qendrën”, th ai për reporterët pas rezultatit. “Ka kohë për presidencialet dhe do të shohim deri atëherë, teksa nuk synojmë zgjedhje të parakohshme. E dini kush është e kundërta e vigjilencës? A do të flemë? Jo, unë nuk do të fle”.

Francois Fillon, një tjetër rival potencial i Sarkozy brenda partisë UMP, qëndron në të njëjtën vijë. “Uniteti nuk do të thotë nënshtrim, – tha ai në një deklaratë. – Sa më përket mua, do të vazhdoj të mbroj bindjet e mia”.

Sarkozy tha se fushata ka qenë “dinjitoze” dhe u duk i rehatshëm në atë që ai e cilësoi si pjesëmarrje rekord, ndërsa në faqen e tij në Facebook është shprehur se rezultati ishte “përgjigja më e mirë ndaj dy viteve grindjesh të brendshme dhe përçarjeje”.

Top Channel