Kryeministri grek, Antonis Samaras, i ka drejtuar apelin më të fuqishëm deri më tani partisë kryesore të opozitës, Syriza, të bashkëpunojë në zgjedhjen e Presidentit të ri, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme dhe periudha “shkatërrimtare” e destabilitetit politik që mund të shoqërojë ato.

Në një artikull të publikuar këtë të diel në gazetën “Ethnos”, Samaras ka paralajmëruar se dështimi për të zgjedhur një President të ri në fillim të vitit të ardhshëm, mund të çojë në një periudhë të stërzgjatur pa një qeveri. Kryeministrit Samaras i nevojitet mbështetja e opozitës për t’i mbijetuar këtij votimi.

“Syriza nuk duhet ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak të moszgjedhjes së një Presidenti të ri, pasi kjo do të sillte destabilitet në një moment që ne duke dalë më në fund nga kriza”, tha ai, duke iu referuar periudhës 6-vjeçare të krizës së borxheve në vend.

“Nëse ata duan të bashkëpunojnë për të parë se si mund të zgjedhim një President së bashku, atëherë bashkëpunimi kombëtar është i realizueshëm”.

Apeli i Samaras vjen në një kohë kur qeveria përballet me një krizë politike kanosëse. Planet për të dalë nga huadhëniet aspak popullore të “BE-FMN”-së deri në fund të këtij viti duken në rrezik, pasi Athina po mundohet të mbyllë shqyrtimin përfundimtar të shpëtimit.

“Marrëveshja politike mbi periudhën post-shpëtimit mund të përmbyllet përfundimisht në dhjetor. Jemi duke punuar me intensitet të madh për këtë”, tha Samaras.

Bisedimet me huadhënësit ishin të vështira, tha ai, teksa premtoi se Greqia do të qëndrojë në rrugën e reformave. Në një intervistë për “Kathimerini”, bankieri grek Yannis Stournaras tha se Athina dhe kreditorët ndërkombëtarë të saj duhet të shfaqin fleksibilitet për të arritur një marrëveshje “menjëherë”.

“Është në interesin e të dyja palëve, grekëve dhe Trojkës, për të arritur një kompromis”, tha Stournaras, ish-ministër i Financave, duke shtuar se Greqia duhet të përfitojë lehtësime shtesë të borxhit si “dëmshpërblim” pas një rishikimi të gjatë dhe të dhimbshëm fiskal.

Top Channel