Vlorë, tentativë grabitjeje, 1 e lënduar lehtë

30/11/2014 00:00

Një tentativë grabitjeje është shënuar në qytetin e Vlorës gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, pas të cilës ka mbetur e lënduar lehtë vajza 22-vjeçare e banesës së sulmuar nga 2 agresorë.

Sipas burimeve të policisë, kanë qenë dy persona të maskuar dhe të armatosur, ata që kanë hyrë në mëngjes herët në banesën e Dule Begajt, e ndodhur në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës. Pronari i shtëpisë mësohet të jetë punonjës i Albtelecom-it, por nga deklaratat e tij mësohet se s’ka pasur ndonjë konflikt, madje agresorët as nuk i kanë kërkuar parà gjatë tentativës së grabitjes.

Policia e Qarkut të Vlorës deklaron gjithashtu se pas rezistencës së familjarëve, si pasojë e të cilës vajza 22-vjeçare e shtëpisë është goditur me qytën e armës në kokë, personat e maskuar janë larguar. Ndërkohë që ata kanë shtënë me armë edhe brenda shtëpisë, por pa shkaktuar viktima.

Policia është vënë në kërkim të autorëve dhe po heton ngjarjen, duke bërë të ditur se janë siguruar edhe gjurmët e gishtërinjve të dy agresorëve në ambientet hyrëse të shtëpisë, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse janë identifikuar apo jo ata.

Top Channel