Ferguson, polici jep dorëheqjen prej kërcënimeve

30/11/2014 00:00

Darren Wilson, oficeri i policisë i cili qëlloi për vdekje një adoleshent të paarmatosur me ngjyrë gjatë muajit gusht, ka dhënë dorëheqjen nga Departamenti i Policisë së Fergusonit në Missouri. Lajmi është konfirmuar për CNN nga avokati i tij, Neil Bruntrager.

Në një bisedë telefonike me zyrat e policisë, Wilson tha se kishte dhënë dorëheqjen pasi Departamenti i Policisë i kishte bërë të ditur atij se kishte marrë kërcënime për dhunë nëse ai do të mbetej ende në detyrë.

“Po jap dorëheqjen me vullnetin tim të plotë – tha ai. – Nuk dua të lëndohet dikush tjetër prej meje”. Ai shtoi se dorëheqja ishte “gjëja më e vështirë që i ishte dashur të bënte”.

Largimi i tij i menjëhershëm nga policia vjen 5 ditë pasi një juri gjyqësore vendosi të mos e akuzonte formalisht Wilsonin për vrasjen e Michael Brown, 18 vjeç.

Vrasja shkaktoi protesta mbarëpopullore dhe të njoftimi i së hënës për mosndëshkimin e tij nxiti një tjetër valë demonstratash, të cilat vazhduan përgjatë gjithë kësaj jave. Ndërkohë që policia dhe protestuesit përplaseshin mes tyre, një debat kombëtar i kontestuar mbi racizmin dhe zbatuesit e ligjit u rihap, teksa shumë njerëz ankohen se policia shënjestron padrejtësisht meshkujt me ngjyrë.

Wilson, një oficer i bardhë, vrau adoleshentin Brown, me ngjyrë, në kushtet kur ky i fundit ishte i paarmatosur. Ai ka thënë gjithnjë se ndien keqardhje, por ndërgjegjia e tij është e pastër, pasi vetëm sa kishte kryer detyrën.

Megjithatë, njerëz të mbledhur sërish të shtunën në rrugët e Fergusonit, protestuan duke thënë se ai duhej ta jepte dorëheqjen shumë kohë më parë. “Ai është 112 ditë me vonesë me këtë që ka bërë”, tha një protestuese. “Madje ai duhej të ishte shkarkuar që në ditën e parë pas ngjarjes”.

Wilson ka qenë pjesë e Departamentit të Policisë së Fergusonit prej 6 vitesh, ndërkohë që prej incidentit nuk ka qenë në krye të detyrës, por me pushim administrativ të paguar.

Top Channel