Zvicra, referendum për frenimin e emigracionit

30/11/2014 00:00

Zvicerianët janë duke votuar në një referendum mbi vendimin nëse do të frenojnë emigracionin në një kufi jo më shumë se 0,2 përqind e popullsisë, në një votim që është kritikuar ashpër nga partitë kryesore politike.

Nëse miratohet, kjo masë do të detyronte qeverinë të reduktonte emigracionin nga rreth 80 mijë persona në rreth 16 mijë njerëz në vit. Mbështetësit e referendumit argumentojnë se ky hap do të reduktojë presionin ndaj burimeve të vendit. Ndërsa kundërshtarët thonë se kjo masë do të ishte në dëm të ekonomisë.

Zvicra votoi në shkurt për të rifutur kuotat e emigracionit, duke hequr dorë efektivisht nga marrëveshja për lëvizjen e lirë që kishte me BE-në. Qeveria gjithsesi do të duhet të implementojë rezultatet e referendumit, gjë që mund të prishë marrëdhëniet e vendit me BE-në.

Dy referendume të tjera janë duke u zhvilluar këtë të diel në Zvicër; njëri që detyron Bankën Qendrore të rrisë rezervat e arit dhe tjetri për heqjen e përfimtimeve nga taksat për emigrantët. Bazuar mbi sistemin aktual të vendit, me demokraci të drejtpërdrejtë, qytetarët mund të zhvillojnë një referendum nëse mbledhin firma të mjaftueshme në mbështetje të kauzave të tyre.

Top Channel