Gafat, si turp protokollar

30/11/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Bëmat e protokollit komik shqiptar janë të lashta dhe të pafundme. Bashkëjetuese dhe udhëtare me shtetin qysh në zanafillë të tij e gjer sot, kur ky është në moshën 102 vjeçe. Bëma që kanë shpërfillur riciklueshëm përgjegjshmërinë dhe shpërfilljen ndaj historisë dhe së ngjarës, ndaj përfaqësimit dhe asaj që vlen si akt vlerësues prej partnerëve dhe modeleve të përkundërta me këtë tonin.

Nuk e kemi fjalën vetëm për institucionin e Protokollit të Shtetit, si një administratë e përhershme e padëgjueshme dhe e parespektueshme, e përdorur dhe e kequrdhëruar prej shtetarësisë dhe sidomos krerëve që kanë drejtuar (sidomos në këta 24 vjet), pushtetet kryesore më të larta: Parlamentin, Presidencën dhe Ekzekutivin. Konstatimi vlen për të gjithë kulturën protokollare që dëshmon e performon administrata dhe nivelet e qeverisjes në këtë vend gjatë kësaj periudhe.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me të drejtë nderoi një ditë më parë njërin ndër dy burrat e parë të shtetformimit shqiptar, Isa Boletinin. Mirëpo komentet që pasuan, shpesh ironizuan kujtesën e shtetit për një nderim kaq të vonuar. Edhe këtu është i mjaftueshëm fakti për të rihapur debatin dhe kritikat ndaj memories protokollare të shtetit për vlerësimin kronologjik dhe sipas hierarkisë së meritave historike të personaliteteve dhe figurave të mëdha të historisë kombëtare. Një inkorrektesë e shfaqur në shumë raste të tjera dhe në shumë forma, të cilën elita politike e tranzicionit herë e bëri edhe më qesharake e herë e politizoi skajshmërish, duke lënë dhe gjeneruar imazhin e një shteti lolo e të përdorur për interesa meskine udhëheqësish dhe politikanësh.

Kultura dhe atuja protokollare nuk ka qenë kurrë dominuese në sjelljen dhe veprimet e shumicës së shtetarëve të këtij tranzicioni. Vrastarë me diplomacinë institucionale dhe injorues patologjikë ndaj diplomatëve të karrierës, të tillë janë dëshmuar pa kursim këta udhëheqës. Patologjia politike e tyre e ka shndërruar diplomacinë e shtetit shqiptar në këta 25 vjet, në një shëmtirë dhe grumbuj ambasadorësh të ndarë, që gjithë ditën nëpër kafene dhe në takime me homologë të tyre nëpër botë, shprehin pakënaqësitë ndaj presidentëve e kryeministrave të shkëmbyer të vendit, ndërsa në letra dhe në zyrat e mandateve të ushtrimit të detyrës, kanë lënë të mellanuar sjelljen servile dhe deformimin e dinjitetit prej diplomatësh karriere ndaj qeverisësve kalimtarë. Të nënshtruar në detyrë dhe “disidentë” nëpër kafene, kjo është tipologjia e performancës së tyre në kohën e detyrës! Mirëpo ndër ta është edhe një pjesë e madhe që vuan heshtjen dhe mbetet në lëngatën shpirtërore të profesionistit dhe patriotit e qytetarit atdhetar. Në këtë mënyrë, pas Protokollit të Shtetit, institucioni i diplomacisë zyrtare të vendit është më e keqpërdorura pas shtypit dhe medias në këtë vend.

Një tjetër institucion i shpërfillur dhe diabolizuar, i informalizuar dhe i degjeneruar në praktikën dhe mandatet e shtetarëve të tranzicionit mbetet edhe ai i këshilltarit. Kohë pas kohe, në mediat private të vendit, ka pasur skandale këshilltarësh, por edhe akte e fjalime qesharake shtetarësh. Kjo ka ngjarë, sepse në mos është injoruar si përherë këshilltari i linjës, përsëritshëm nuk ka funksionuar vendosmëria apo detyrëkryerja e këshilltarëve. Shprehja e dikurshme e avokat Ngjelës drejtuar një këshilltari kryeministri: “Kur t’i japësh një këshillë Saliut, eja më thuaj!”, mbetet tipizuese.

Në diplomacinë presidenciale, atë kryeministrore dhe të kryeparlamentarit shqiptar në këta 25 vjet, kemi pasur herë pas here gafa dhe turpe, të cilat janë pasqyruar si të tilla edhe nga mediat e huaja, edhe janë “shijuar” në sallonet e diplomacisë dhe kancelarive të huaja si substancë humori.

Këtë “derivat gafash” e ka shprehur në mënyrën e vet edhe administrata vendore, sidomos ajo e politizuara gjer në besnikëri partiake të shëmbëllyeshme me fetarinë e verbër. Sipas mediave, Bashkia e Shkodrës i shpall “Dëshmorë të atdheut” edhe Migjenin, Pashko Vasën dhe Luigj Gurakuqin. Gafa të tilla mund të gjesh pafundësisht në vendimet dhe sidomos në titujt e këshillave bashkiakë me “Nder i qytetit” anekënd Shqipërisë. Është thjesht një kampion i gjithëshpërndarë për rrënimin e meritokracisë historike, si dhe të pakujdesisë e qesharakësisë së protokollit, “me nder” nderues!

Kësi gafash ngjasin dhe kanë për të ngjarë, derisa në shtetin me Protokoll zyrtar, turpi protokollar është bërë natyrë.

Top Channel