Rritet ksenofobia në Turqi

30/11/2014 00:00

Turqia anëtare e NATO-s dhe një vend aplikant për aderim në Bashkimin Europian ka regjistruar kohët e fundit një rritje të ndjeshme të ksenofobisë.

Një studim i qendres kërkimore prestigjioze “Peë” në Shtetet e Bashkuara del në përfundimin se fenomeni i vënë re në shtetin musliman përkon edhe me luftën në kufijtë e tij dhe marrëdhëniet e tensionuara diplomatike me disa nga fqinjët dhe aleatët e vjetër.

Gazetari Semih Idiz, i gazetës turke “Taraf”, i tha “Zërit të Amerikës” se ndienjat kundër të huajve nuk kufizohen vetëm te vendet perëndimore, të cilat kanë qenë burime tradicionale antagonizmi në mesin e turqve. Kjo është pothuajse universale, rrëfen ai.

70 përqind e të anketuarve u deklaruan antiamerikanë, por një numër i barabartë i tyre, pra 70 përqind e anketuesve thanë gjithashtu se ishin antirusë. Kemi zbuluar po kështu, se shumë turq nuk e duan as Arabinë Saudite e as Kinën, ndërsa janë qartazi kundër NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Arsyeja e një pakënaqësie të tillë duket se buron nga ndjesia e përbashkët se të gjithë i urrejnë. Ky ndryshim i qëndrimit përkon dhe me acarimin e marrëdhënieve diplomatike të Turqisë me tre nga fqinjët e saj: Sirinë, Irakun dhe Iranin.

Dallimet me disa nga aleatët e saj perëndimorë mbi konfliktin në Siri dhe luftën kundër Shtetit Islamik kanë shtuar ndienjën e izolimit në mesin e turqve, sipas Cengiz Aktar, profesor i shkencave politike në Universitetin “Sulejman Shah” të Stambollit.

Ky i fundit mendon se qeveria po nxit armiqësinë e publikut ndaj botës, duke e ngulitur idenë e izolimit nën petkun e asaj që e përshkruajnë si “vetmi të denjë”, një rrugë e ngjashme kjo me atë që po ndjek Rusia.

Dyshimet, madje, edhe armiqësitë e drejtpërdrejta nuk janë sidoqoftë ndonjë risi për Turqinë. Përgjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20, fëmijët mësonin në shkolla se Turqia ishte e rrethuar nga armiqtë dhe se bashkëpunimi i vendeve perëndimore me arabët solli rënien e Perandorisë Osmane.

Top Channel