Akseleratori për sëmundjet tumorale

30/11/2014 00:00

Pacientët me sëmundje tumorale nuk kanë më nevojë të marrin rrugët drejt klinikave jashtë vendit për ndërhyrje kirurgjikale, apo për radioterapi me anë të rrezeve, duke shpenzuar shuma marramendëse.

Në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, pranë Shërbimit të Neurokirurgjisë ku është instaluar akseleratori linear, kryhen çdo ditë 24 radioterapi dhe 1 radiokirurgji për pacientët që vuajnë nga këto sëmundje.

“Ne kemi filluar me atë që quhet radiokirurgji, që ka të bëjë me trajtimin e sëmundjeve kirurgjikale dhe brenda ditës sëmundja është e shëruar. Së fundmi kemi filluar edhe me atë që quhet radioterapi. Ky është një aparat i aftë të kryejë radioterapi dhe radiokirurgji në çdo pjesë të trurit me saktësinë e milimetrit, ndërkohë kemi edhe radioterapinë e çdo pjese tjetër të trupit. Jemi duke marrë rezultatet e para dhe janë shumë premtuese”, tha Dr. Shk. Artur Xhumari , neurokirurg.

Një pacient me sëmundje tumorale mund të ketë nevojë për kirurgji, kimioterapi, radioterapi apo radiokirurgji, ku tumori bombardohet me anë të rrezeve, por për këto vendos një ekip i specializuar mjekësh.

Radiokirurgjia nuk ofrohet as në klinikat jopublike në vend dhe as në vende fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi. Drejtorja e QSUT-së Ogerta Manastirliu thotë se për shkak të nevojave të shumta në QSUT do të instalohet edhe një akselerator i dytë.

“Për herë të parë në QSUT ofrohet shërbimi i radiokirurgjisë, si një shërbim totalisht i ri. Planet e QSUT janë që të shtrihet shërbimi i radioterapisë nëpërmjet pajisjes së akseleratorit linear jo vetëm në shërbimin e neurokirurgjisë, por edhe në shërbimin e onkologjisë dhe jemi në fazën e përfundimit të procedurave për ndërtimin e dy bunkerëve për vendosjen e këtij akseleratori, i cili do të rrisë dhe përmirësojë më tej shërbimin ndaj pacientëve me sëmundje tumorale”, u shpreh Ogerta Manastirliu, drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare.

Sipas drejtoreshës Manastirliu, brenda vitit 2015, në Shërbimin Onkologjik do të jetë gati akseleratori i dytë që do të vendoset në Shërbimin Onkologjik.

Top Channel