“Shqipëria përballë problemeve të mëdha sociale”

30/11/2014 00:00

Kreu i Konfederatarës së Sindikatave, Kol Nikolla në kongresin e 5-të të sindikatave tha se Shqipëria përballet ende me shumë probleme të mëdha sociale të cilat kërkojnë zgjidhje.

“Përsëri na rezulton të kemi akoma punonjës të pambrojtur, gra e fëmijë që vazhdojnë të punojnë në kushte skllavërie, pa asistencë mjekësore, pa shëndet e siguri në punë, pa siguracione shëndetësore dhe shoqërore, pa shpërblim për vjetërsi dhe vështirësi në punë, pa drekë falas, pa transport falas e plot mangësi të tjera. Shumë punëdhënës vazhdojnë të abuzojnë nga padia dhe mundesa e informacionit që kanë punonjësit për të drejtat e tyre duke mbuluar shkeljet e tyre me veprime formale ligjore apo në bashkëpunim me sindikata fantazmë që fatkeqësisht në Shqipëri janë bërë si kjoskat pa leje duke u favorizuar nga vakanca ligjore që qeveritë e radhës me dashakeqësi ndaj sindikatave nuk kanë pranuar ta plotësojnë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, Kol Nikolla.

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj e ka vlerësuar sindikatat për rolin opozitar që kanë luajtur gjatë miratimit të reformave sociale. Veliaj tha se vitin e ardhshëm do të diskutohet për rritjen e pagës minimale e cila është e rëndësishme për rritjen e mirëqënies sociale.

“Nga këto 81 mijë e 342 vende pune, rreth një e treta janë vende të reja, një e treta janë vende të zbardhura pune nga ekonomia e zezë falë kontributit të sindikatave që kanë denoncuar punën në të zezë dhe një e treta janë të vetëpunësuarit në fshat që kanë përfituar nga amnistia dhe janë duke u deklaruar për t’u siguruar që nesër kanë një pension dinjitoz, njësoj si ai i qytetit. Ne jemi shumë të vendosur që vitin tjetër ta rrisim pagën minimale sepse con në rritjen e mirëqënies së popullsisë, kryesisht të atyre punëtorëve që janë në nivelin e pagës minimale”, tha Ministri Veliaj.

Në këtë kongres ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dhe zv.ministri i Arsimit Arbjan Mazniku të cilët shprehen mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre me sindikatat.

Top Channel