Beteja për çmimin e naftës. Forbes: OPEC, një tigër pa dhëmbë

30/11/2014 00:00

Ekspertë të shumtë botërorë e gjykuan vendimin e OPEC-ut për të mos ulur prodhimin e naftës si sfidë ndaj naftës argjilore amerikane që po mbyt tregjet.

Karteli i vendeve eksportuese të naftës në këtë mënyrë shpreson të godasë edhe prodhimin amerikan, i cili do të gjendet përballë nevojës së një tavani nëse çmimi vazhdon të mbetet kaq i ulët.

Por revista ekonomike amerikane Forbes ndan tjetër mendim. Ironia e përshkon nga kreu në fund artikullin e saj shpotitës me titull: A është OPEC-u një tigër pa dhëmbë? 12 anëtarët e kartelit u takuan në Vjenë tri ditë më parë e vendosen të mos rrisin prodhimin, duke bërë që kuotimi i naftës të ulej brenda ditës me 5 dollarë për fuçi.

Por mos u gënjeni prej asaj që shikoni e dëgjoni, thotë Forbes; ndikimi i OPEC-ut mbi çmimin është ekzagjeruar shumë. Spekulatoret besojnë se organizata do të nxjerrë si me magji nga kapelja e prestigjatorit një lepur. Por OPEC-u, për të qenë të sinqertë, nuk ka as kapelen e jo më lepurin. Karteli kontrollon pak më shumë se një të tretën e prodhimit global të naftës, ndërkohë që procesi i nxjerrjes së naftës dhe gazit prej burimeve argjilore e ka bërë shumë të lirë gazin natyror i cili në disa raste mund të konsiderohet alternativë e mirë ndaj naftës.

Sapo të kemi një president të ri procesi i sigurimit të licensave për ndërtimin e terminaleve të eksportimit të gazit natyror do të përshpejtohet, e prodhimi i gazit vetë do të rritet. Zvarritja që administrata Obama po i bën dhënies së lejeve për eksplorimin e tokave federale do të marre fund edhe ajo, kështu që do kemi edhe më shumë prodhim nafte, e për rrjedhojë edhe më shumë presion për tkurrje të mëtejshme të çmimit.

Të mos harrojmë pastaj, vazhdon revista ekonomike, se OPEC-u i gremisur është i pafuqishëm edhe përballë ngadalësimit të ekonomisë botërore, çka nënkupton më pak kërkesë për energji.

Rënia e ndjeshme e çmimit të naftës këto muajt e fundit dëmton me së pari Rusinë, Iranin dhe Venezuelën. Republika Islamike në mënyrë të veçantë ka nevojë urgjente për të ardhura nga biznesi me naftën. Irani vuan nga rënia e përfitimeve prej arit te zi që nga viti 2011 për shkak të sanksioneve dhe për të mbuluar shpenzimet buxhetore, i duhet me doemos një çmim naftë prej të paktën 125 dollarësh për fuçi.

Top Channel