Shqipëria prezanton bukuritë në Itali

30/11/2014 00:00

Me rastin e Festës së Pavarësisë Shqipëria u prezantua në Romë në kompleksin prestigjoz të Vittoriano-s me një ekspozitë fotografike me titullin “Shqipëria nga qielli dhe nga thellësitë e kaltra” e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Romë.

Fotografët e njohur Igli Pustina dhe Alket Islami sollën për publikun e shumtë bukuritë e natyrës shqiptare, bregdetin, alpet, monumentet e kulturës dhe të arkeologjisë. Por jo vetëm kaq, qe e pranishme edhe moda, me krijimet e stilistes se re shqiptare Dorina Kola, tanimë një emër i njohur në Itali e jashtë saj.

Hapja e ekspozitës u ndoq me interes të madh nga një numër befasues pjesëmarrësish në ditën e parë. Ekspozita, e realizuar në kuadrin e projektit për promovimin e vendeve që do të marrin pjesë ne panairin “Expo Milano 2015”, do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor.

Në mbyllje është në program një takim i zgjeruar për t’u ilustruar investuesve dhe operatorëve turistikë italianë mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria në këtë fushë.

Top Channel