Papa dhe Bartolemeu në një meshë

30/11/2014 00:00

Në përmbylljen e rrugëtimit treditor në Turqi Papa Françesku mori pjesë në një ceremoni kishtare në krah të udhëheqësit shpirtëror të të gjithë të krishterëve ortodoksë nëpër botë, Patriarkut Bartolomeu i Parë.

Kërkesa e kreut të Kishës Katolike për bekimin e këtij të fundi qe një ‘show’ simbolik respekti e përafrimi, ndërsa vetë takimi i dy liderëve përcolli synimin e qartë të përmirësimit të marrëdhënieve mes krahut të lashtë lindor e atij perëndimor të Krishterimit.

‘Unitet me ortodoksët’ ishte ajo çfarë simbolizoi dora e shtrirë e Papës argjentinas për Patriarkun Ekumenik; vëllazëri e afrim mes dy kishave qe mesazhi që nuk nënkupton as përulje e as përthithje të njërës nga tjetra.

Pati dhe një deklaratë të përbashkët të firmosur nga pasardhësi i Pjetrit e nga pasardhësi i vëllait Andrea, siç thonë mediat e huaja, ku dënohet trajtimi i ashpër ndaj shumë të krishterëve në Lindjen e Mesme.

“Nuk e kemi më luksin të veprojmë të vetëm”, tha Patriarku. Sot persekutorët e të krishterëve nuk pyesin më se cilës kishë i përkasin viktimat e tyre. Të krishterët janë kthyer në shënjestra të ekstremistëve islamikë në Irak e Siri këto vitet e fundit, ndërsa pikën kulmore, fushata kundër tyre e mbërriti muajt e verës me avancimin e militantëve të ISIS-it dhe marrjen e Mosulit.

Ati i Shenjtë i diskutoi gjatë ndasitë mes katolikëve dhe ortodoksëve gjatë vizitës së tij tre ditore në Turqi.

Në Stamboll, ai bashkë me Patriarkun bënë thirrje edhe për paqe në Ukraine. Konstandinopoja, siç njihej dikur qyteti turk, ishte qendra e ortodoksisë deri në pushtimin otoman të 1453-shit. Sot në Turqi me 80 milionë banorë, ka vetëm 120.000 të krishterë, ndërsa pjesa dërrmuese e popullsisë i përket fesë islame.

Në vizitën e kreut të Vatikanit nuk munguan as thirrjet për dialog ndërfetar me muslimanët për t’iu kundërvënë, siç tha ai, fanatizmit e fondamentalizmit. 

Top Channel