Një ngarkesë e madhe me cigare është sekuestruar nga Roja Bregdetare dhe doganat greke mëngjesin e së dielës.

Sipas autoriteteve greke, anija “ATLAS” u bllokua në vendin e quajtur “Paqi Megara”, pasi në bordin e saj u gjetën 9 kontenierë me 9000 koli cigare kontrabandë.

“Altlas” dhe ekuipazhi i saj ishin nisur prej Qipros turke dhe ngarkesa e saj kishte destinacion tregun ballkanik të kontrabandës së cigareve.

Ende nuk bëhen të ditura detajet e operacionit, por autoritetet greke thanë se në të janë përfshirë, përveç doganave dhe policisë edhe Shërbimet Sekrete greke dhe të vendeve aleate, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Autoritetet vendase njoftuan se është arrestuar ekuipazhi i anijes “ATLAS”, të gjithë shtetas të huaj dhe po hetojnë edhe për gjetjen dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të organizatës në Greqi.

Operacioni vazhdon ende, ndërsa burime policore thanë se në tokë është bllokuar edhe një kamion, i cili do të shërbente për transportimin e ngarkesës në brendësi të territorit grek.

V etëm vlera e akcizës së cigareve të sekuestruara llogaritet në 30 milionë euro. Greqia shërben si pikë shkarkimi të anijeve me kontrabandë cigaresh për gjithë tregun ballkanik dhe atë europian, kryesisht për shkak të ruajtjes jo të mirë të kufijve, të korrupsionit të lartë në radhët e strukturave shtetërore, por edhe të vijës së gjatë bregdetare dhe ishujve të shumtë që ajo ka.

Top Channel