Seria A, Roma mund 4-2 Interin

01/12/2014 00:00

Roma ia del mbanë të mposhtë Interin në “Olimpiko” duke e mundur me rezultatin 4-2 në një ndeshje me shumë episode. Gervinho shënon golin e parë të takimit, ndërkohë që për Interin barazimin e gjen Ranocchia.

Me fillimin e pjesës së dytë është Cholevas ai që shënon një supergol pas depërtimit në zonë, por sërish skuadra e Mancinit gjen barazimin, këtë herë Osvaldo i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes së Romës gjen rrjetën. Vetëm dy minuta zgjat ky barazim pasi Pjanic shënon golin e avantazhit në minutën e 70 dhe në fundin e takimit, kur po mbyllej gjithçka, si për të konkuruar për golin më të bukur të javës me Pirlon, shënon një eurogol nga goditja e dënimit për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë fitore.

Ka qenë mrekullia e Pirlos ajo që i dha fitoren Juventusit 4 sekonda nga përfundimi i ndeshjes ndaj Torinos me rezultatin 2-1. Në fillim shënon Vidal që në minutën e 15 për Juventusin, por Bruno Perez barazon shumë shpejt pas një vrapimi galopant për rreth 80 metra. Si të mos mjaftonte barazimi, skuadra e Alegrit mbetet edhe me 10 lojtarë në minutën e 33 të pjesës së dytë, kur Lichstainer del me të kuq.

Kur dukej se gjithçka shkonte drejt barazimit në derbin e Torinos është Andrea Pirlo i cilli në momentet e vështira të skuadrës di të dhurojë një mrekulli për t’i dhënë fitoren.

Milani është rikthyer tek fitorja pas pesë javësh dhe këtë herë ka mundur 2-0 Udinesen. Kuqezinjtë kanë kontrolluar lojën që në fillimin e saj, por vështirësitë mbeten të njëjta, ato të finalizimit të rezultatit. Në pjesën e dytë Domizzi ndalon Hondën brenda zonës dhe gjyqtari akordon një penallti dhe karton të kuq. 11-metërshi shndërrohet në gol nga Menez. Shumë shpejt edhe skuadra e Inzagit mbetet me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Essienit, por për fatin e kuqezinjve është sërish Menez ai që zgjidh gjithçka duke shënuar golin e dytë që i siguron Milanit fitoren dhe vendin e pestë.

Top Channel