Kosova, anëtare e ONF-së

01/12/2014 00:00

Kosova është anëtarësuar në cilësinë e vëzhguesit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Në Samitin e kësaj organizate presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se “duke e përfshirë Kosovën në këtë organizatë, ju shtuat edhe një përkrahëse të vlerave që avancojnë paqen dhe një zë më tepër që fuqizon dialogun dhe partneritetin si mënyrën e vetme për të gjetur zgjidhje për sfidat e së ardhmes që prekin secilin prej nesh”.

E shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë punimeve të samitit, presidentja Jahjaga ka falënderuar presidentin e Senegalit, nën mbikëqyrjen e të cilit u zhvilluan diskutimet për ta bërë Kosovën pjesë të barabartë të kësaj organizate.

Falënderimin për lajmin e anëtarësimit të Kosovës si anëtare vëzhguese në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë e ka shprehur edhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, duke vlerësuar lartë rëndësinë e të qenit pjesë e këtij forumi global.

“Një lajm i rëndësishëm për Kosovën sapo mu kumtua nga Senegali! Pas një të gjatë fushate të shkëlqyer të lobimit të diplomatëve tanë – me ndihmën e Francës dhe miqve tjerë, sot Republika e Kosovës u bë anëtare e Organizatës së Frankofonisë, një organizmi të madh dhe të rëndësishëm botëror. Kosova tani njihet si anëtare vëzhguese e familjës së madhe botërore ku frëngjishtja flitet dhe respektohet, por me rëndësi është se tani jemi pjesë e këtij forumi global”, ka shkruar Thaci në Facebook.

Top Channel