Në burg biznesi pa kasë fiskale

01/12/2014 00:00

Bizneset që kapen në shkelje të përsëritura për mosregjistrim
punonjësish dhe që nuk përdorin apo instalojnë kasat fiskale do të
ndiqen penalisht.

Me propozim të Qeverisë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ndryshoi ligjin për procedurat tatimore.

“Dikush që e bën për herë të tretë, të katërt, të pestë, natyrshëm që kemi të bëjmë me raste që nuk është më një gabim teknik, nuk është më një gabim që erdhi qoftë edhe për nga një llogjikë e caktuar, por është një gabim, i cili vjen i qëllimshëm dhe kuptohet dhe që ndaj këtij elementi ne themi që do të shkojë deri tek masat penale”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Ndonëse forcojnë masat ndëshkuese për shkeljet e përsëritura, ndryshimet e reja për Qeverinë kanë një sërë lehtësimesh për biznesin, që nisin me uljen e gjobave për 12 raste.

“Ulja e nivelit të gjobave është ndihmesë për biznesin, është vazhdë e përgjigjeve tona ndaj kërkesave të vazhdueshme të biznesit dhe duke qenë që pothuajse përgjysmohen ato, kuptohet që lind e drejta që organet tatimore të kenë në fund dhe një mjet shtrëngues në mënyrë që secili të ketë sjelljen racionale ndaj kërkesave të ligjit dhe ndaj pagesës së tatim-taksave”, tha Cani.

Po kështu, ligji i ri detyron Tatimet të publikojnë të gjitha vendimet e formës së prerë të gjykatave për çështjet tatimore. Paralelisht ai ul kohën e rimbursimit të TVSH-së.

“Për të ulur kohët dhe kostot për tatim paguesit, nga administrata tatimore propozohet që kontrollet lidhur me rimbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar të bëhen në bazë të analizës së rriskut dhe kërkesat për rimbursim të TVSH-së, të cilat nuk janë me rrisk po procedohet automatikisht për rimbursim. Gjithashtu për të garantuar dhënien në kohë të rimbursimit të Vlerës së Shtuar është përcaktuar se pagesat e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda 5 ditëve nëpërmjet sistemit të thesarit”, tha deputeti i Partisë Socialite, Ervin Koçi.

Ligjin e ri vendos afat minimal për garancitë që i bllokohen sipërmarrësve në rastet e apelimeve dhe po kështu shkurtohet nga 3 në 2 muaj, koha brenda të cilës tatimet duhet të marrin vendim për çdo apelim të biznesit.  

Top Channel