Përpjekjet për një marrëveshje për klimën

01/12/2014 00:00

Negociatorët e OKB-së për klimën po takohen në Peru, në përpjekje për t’i dhënë një shtysë bisedimeve mbi arritjen e një marrëveshjeje të re globale.

195 shtete janë zotuar të finalizojnë paktin e klimës në Paris deri në fund të 2015-s. Pprocesi ka marrë hov të ri nga zhvillimet e fundit, ndër të cilat, angazhimi i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për reduktimin e nivelit të karbonit konsiderohet i një rëndësie të veçantë.

Dy javët e diskutimeve çelen në sfondin e temperaturave globale rekord: nga janari deri në tetor të këtij viti, termometri ka shënuar mesataren më të lartë në tokë e oqean, që prej fillimit të regjistrimeve në 1880-n.

Nxehtësi do të ketë edhe në takimet e OKB-së, sepse sërish ndasitë e vjetra mes vendeve më të pasura e atyre më të varfra, edhe këtë radhë me të gjithë gjasat do ta frenojnë progresin.

Përgjatë gjithë kësaj maratone diskutimesh, delegatët do të përpiqen të finalizojnë tekstet kyçe të negociimit, të cilat do të përbëjnë dhe bazën e marrëveshjes së Parisit.

Ka disa lajme të mira për sa i takon financimit të luftës ndaj ndryshimeve klimatike. Fondi i gjelbërt i Kombeve të Bashkuara për klimën ka siguruar mbi 9 miliardë dollarë gjatë një konference donatorësh në Berlin.

Ekipet e negociatorëve në Lima, tani do të përpiqen t’i përforcojnë arritjet e të ruajnë frymën e pozivitetit, në mënyrë që ato t’i mbijetojnë kundërshtive në kryeqytetin francez.

Shumë vëzhgues mendojnë se sfidat përpara janë të mëdha. Ky nuk është një problem që mund të zgjidhet vetëm nga Amerika, Kina e Bashkimi Europian, kujtojnë ata. Ka shumë vende të tjera, si Kanadaja, Australia, Japonia, Rusia, Afrika e Jugut, Brazili e Indonezia, të cilat nuk kanë bërë deri tani asnjë zotim për reduktim të emetimeve dhe nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë.

Top Channel