Mona Lisa, portret i nënës së Da Vinçit?

01/12/2014 00:00

Pikërisht atëherë kur mund të mendohej se ishte shteruar çdo teori mbi modelen e Leonardo da Vinçit për pikturën e famshme të tij, Mona Lisa, historiani dhe romancieri italian, Angelo Paradico, hedh dorashkën e një tjetër sfide.

Paradico i ka kaluar 20 vitet e fundit duke jetuar e punuar në Hong Kong, ku nuk ka reshtur së kërkuari lidhjet mes vendit të tij dhe Kinës. Fryt i studimeve të zgjatura e të hollësishme është edhe pretendimi i çuditshëm i tij, se Mona Lisa e buzëqeshjes së trishtë mund të jetë në fakt nëna e piktorit, një skllave sipas tij me origjinë kineze.

Të tilla pohime përbëjnë boshtin e librit të fundit të historianit, të titulluar “Leonardo da Vinci: Një dijetar kinez i humbur në Italinë e rilindjes”.

Jam i sigurt se nëna e Leonardos ishte nga lindja, – thotë Paratico në një intervistë për “South China Morning Post”,- por që ta bëjmë një lindore kineze duhet të përdorim deduksionin. Një nga klientët e pasur të babait të Leonardos kishte një skllave të quajtur Katerina. Pas 1452-shit, viti i lindjes së piktorit, ajo zhduket nga çdo dokument.

I ati i Da Vinçit ishte noter dhe besohet se e ëma quhej Katerina, një fshatare e zonës sipas disa raporteve. Paratico këmbëngul se ajo që solli në jetë gjeniun e madh, ishte një skllave orientale.

Sipas historianit, ka disa aspekte të jetës dhe punës së Da Vinçit, që tregojnë lidhjen e fortë me Lindjen. Leonardo ishte vegjetarian; peizazhi prapa krahëve të Mona Lisas është kinez, e madje po ta vesh re me vëmendje – këmbëngul Paratico, – edhe fytyra e saj ka tipare të holla kineze.

Top Channel