Lufta kundër krimit, Tahiri në Romë

01/12/2014 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, është takuar sot në mesditë në Romë me ministrin e Brendshëm italian, Angelino Alfano, me të cilin ka biseduar lidhur me ngritjen në një nivel të ri cilësor të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Takimi i sotëm i dy ministrave vjen pas atij të zhvilluar në muajin qershor të këtij viti, pak përpara nisjes së operacionit kombëtar antikanabis, ku u asgjesuan mbi 500 mijë rrënjë bimë narkotike dhe mbi 100 ton hashash.

Ministri Tahiri e informoi homologun italian në mënyrë të detajuar për rezultatet e operacionit dhe gjeti rastin për ta falënderuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndihmën e rëndësishme që dha shteti italian në këtë operacion, nëpërmjet mbështetjes me avionët e “Guardia di Finanza”.

“Mbi 7 miliardë euro ishte vlera e drogës që u shkatërrua këtë vit nga Policia shqiptare dhe që, nëse nuk do të ishte kapur, do të përfundonte në rrugët dhe shkollat e Italisë”, u shpreh ministri Tahiri.

Ministri Tahiri e informoi ministrin Alfano edhe për angazhimin serioz të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ai ka theksuar se tashmë, në Policinë e Shtetit është krijuar një Drejtori me rreth 100 specialistë, që do të merren me çështjet e luftës kundër terrorizmit, ndërsa më parë me këto çështje merrej një sektor me 8 punonjës.

Ministri shqiptar theksoi se është e domosdoshme që të gjitha vendet e Ballkanit të kënë një axhendë të përbashkët në luftën antiterror. “Është e nevojshme një qasje rajonale dhe europiane e të gjitha vendeve që pqrballen, si me qytetarët që shkojnë për të luftuar në Siri dhe vendet e tjera të atij rajoni, tha Tahiri.

Ministri Alfano përgëzoi homologun shqiptar dhe tha se ndihej shumë i impresionuar nga rezultatet në luftën kundër drogës, që arriti Policia shqiptare. Ai u shpreh për një ndihmë të pakursyer të Italisë ndaj Shqipërisë dhe bashkëpunimi ka për të qenë më i ngushtë, në kushtet kur vendi ynë tashmë ka fituar edhe statusin kandidat për në BE.

Ministri Tahiri tha se Italia mbetet partner strategjik.

Top Channel