Ministria: Kostoja do të përfundonte te qytetarët

01/12/2014 00:00

Qeveria thotë se vendimi për të ndryshuar formulën e llogaritjes së
çmimit të energjisë synon përafrimin me çmimet e tregut, rritjen e
likuiditetit në sektor dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimit
fundor.

Përmes një reagimi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë thekson edhe një herë se çmimi i lartë me të cilin KESH detyrohet të blejë energjinë nga prodhuesit privatë, është një nga shkaqet kryesore të krizës financiare të Korporatës dhe sektorit energjetik në tërësi.

Ministria sqaron se tarifat aktuale të energjisë të miratuara nga ERE marrin parasysh deri në 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla ndërkohë që deri në vitin 2015, ky prodhim pritet të trefishohet. Kjo pasi Qeveria e mëparshme ka firmosur në total 164 kontrata koncesionare, për ndërtimin e 435 hidrocentraleve.

Barra në kurriz të KESH, sipas Ministrisë, është indirekt barrë për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit, çka do të impononte rritjen e çmimit fundor të energjisë për qytetarët shqiptarë. Në këto kushte, sipas Ministrisë së Energjisë, rishikimi i metodologjisë do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjës së energjisë për KESH, gjë e cila do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët shqiptare, duke mos shkaktuar kështu një deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrike.

Top Channel