HEC-et privatë kundër uljes së çmimit

01/12/2014 00:00

Shoqatat e HEC-eve private kundërshtojnë çmimin e ri me të cilin KESH do
të blejë energjinë e prodhuar prej tyre. Formula e re e Qeverisë bazuar
tek çmimi i energjisë në bursën hungareze ul çmimin e privatëve nga 9.2
që është aktualisht, në 6.4 lekë.

“Pse duhet të miratojmë me nxitim një VKM,  që merr për bazë një bursë të huaj dhe merr për bazë cmimin minimal në këtë bursë dhe jo kostot e tjera. Në dijeninë time është një bursë për energjinë nukleare dhe energji termocentrale, nuk është energji e rinovueshme”, thotë Eugen Lici, drejtor ekzekutiv i AREA-s.

Prodhuesit e vegjël thonë se ulja me 30 % e cmimit favorizon tregtimin dhe jo prodhimin e energjisë në vend. Në situatën kur shteti nuk ka shlyer ende borxhin financiar prej 60 milionë eurosh, sipas tyre formula e re përkthehet në faliment për investimet e realizuara dhe u mbyll rrugën investimeve të ardhshme.

“Dëmi financiar që u shkaktohet këtyre prodhuesve mund të shkojë nga 30 apo 35 për qind ulje në të ardhurat e tyre.Kjo do të bënte që të shisnin energjinë nën kosto”, thotë Lici.
 
Shoqatat e HEC-eve thonë se në çdo rast të rishikimit të çmimit ata janë kategorikisht kundër një çmimi më të lartë të prodhimit se ai i importit. Referuar krizës financiare të korporatës për shkak të kostos së HEC-eve të vogla, shoqata thotë se vetëm për vitin 2014, KESH ka dalë me një fitim prej 56 milionë eurosh.   

Top Channel