NATO-Rusi, akuza dhe kundërakuza

01/12/2014 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Gjeneral Jens Stoltenberg, akuzoi Rusinë për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në lindje të Ukrainës, duke dërguar furnizime të mëdha me armë të avancuara për separatistët prorusë.

Ukraina bëri të ditur gjatë të dielës se një autokolonë me 106 mjete hyri në territorin e saj lindor nga Rusia pa lejen e Kievit, si dhe akuzoi Moskën se po shfrytëzon dërgesat e ndihmave humanitare për të transportuar edhe armë dhe municione drejt rebelëve separatistë.

“Ne mund të shohim një prezencë domethënëse ushtarake përreth por edhe brenda Ukrainës”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp. “Gjithashtu edhe transferta të mëdha të armëve të avancuara ruse, mjeteve dhe personelit ushtarak drejt separatistëve të dhunshëm”.

Moska mohon të ketë përdorur autokolonat humanitare për të dërguar armë, si dhe refuzon akuzat e Perëndimit se po armatos rebelët, apo po dërgon luftëtarë në ndihmë të tyre. Nga ana e saj, ajo akuzon Perëndimin dhe Kievin se po ndërmarrin një fushatë të dhunshme pa dallime në territoret lindore të Luhanskut dhe Donjeckut.

Duke komentuar autokolonat, Stoltenberg tha se mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën humanitare në lindje të Ukrainës është duke ndalur shkeljen e marrëveshjes së Minskut, që synonte t’i jepte fund konfliktit në lindje të Ukrainës, si dhe të respektohet armëpushimi.

“Ne shohim se separatistët dhe Rusia nuk po e bëjnë diçka të tillë. Rusia po e nxit më tej konfliktin duke dërguar mjete dhe mbështetje të shumëllojshme ndaj separatistëve, duke minuar kështu, madje edhe shkelur, armëpushimin apo përpjekjet për të ofruar një zgjidhje paqësore dhe të negociuar”, tha ai.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohet të martën në Bruksel për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe për të rishikuar hapat që ka ndërmarrë aleanca 28-kombëshe për të forcuar mbrojtjen e saj dhe për të siguruar aleatët e nervozuar të Europës Lindore pas aneksimit nga Moska të rajonit ukrainas të Krimesë, në muajin mars.

Ata priten të bien dakord për të vazhduar masat e deritanishme, që përfshijnë edhe stërvitjet ushtarake apo alternimin e një numri të vogël trupash në lindje të Europës përgjatë vitit 2015.

Ndërkohë, Rusia beson se është NATO, ajo që po destabilizon Europën veriore dhe shtetet baltike me zhvillimin e stërvitjeve ushtarake atje, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax”, që ka cituar zv/ministrin e Jashtëm Alexei Meshkov.

Moska akuzon NATO-n se po kalon kufijtë e saj duke përforcuar marrëdhëniet me vende të Europës Lindore, të cilat dominoheshin dikur nga Bashkimi Sovjetik, ndaj dhe Moska ka përshkallëzuar demonstrimin e forcës së saj këtë vit ndaj Perëndimit, pas përkeqësimit të marrëdhënieve prej Ukrainës.

“Çfarë po bën komandanti i forcave aleate të NATO-s për Europën, Philip Breedlove, dhe të tjerët? Thjesht po përpiqen të destabilizojnë rajonin më të qëndrueshëm në botë; Europën Veriore”, tha Meshkov në një intervistë për agjencinë e lajmeve.

“Stërvitjet e pafundme ushtarake, transferimi i avionëve të aftë të mbajnë edhe armë bërthamore drejt shteteve baltike, janë negative. Ky realitet është ekstremisht negativ”, tha ai, duke shtuar se “autoritetet ruse po marrin dhe do të marrin çdo hap për të ruajtur me vendosmëri sigurinë e Rusisë dhe qytetarëve të saj. Pavarësisht se në cilën pjesë të vendit tonë do të preket ajo”.

Top Channel