Rubla, në pikiatë nga rënia e çmimit të naftës

01/12/2014 00:00

Çmimet e naftës ranë në minimumin historik të 5 viteve të fundit ditën e hënë, duke e dërguar rublën ruse në humnerë.

Valuta ruse pësoi një rënie me 6 për qind kundrejt dollarit duke arritur edhe ajo një rekord të ri. Bëhet fjalë për rënien më të rëndë në një ditë të vetme që nga kriza valutore e vitit 1998 në Rusi.

Çmimi i naftës së papërpunuar ra në 67.53 dollarë për fuçi, çmimi më i ulët që prej tetorit 2009, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet e tyre online.

Më vonë ai rifitoi pakëz terren duke arritur fare pak mbi 70 dollarë, ndërkohë që nafta e papërpunuar amerikane ishte 66.34 dollarë për fuçi, pas një rënie ditore në 63 dollarë, më e ulëta që prej korrikut 2009.

Çmimet e natës kanë rënë me më shumë se një të tretën që prej verës, ndërsa rënia tërësore e rublës ruse është rreth 40 për qind që prej janarit.

Rëniet e fundit të çmimeve vijnë gjithashtu pas vendimit të javës së kaluar të OPEC për të mos shkurtuar prodhimin dhe për ta lënë atë në 30 milionë fuçi në ditë.

Arabia Saudite, prodhuesi më i madh i kartelit, deklaroi të hënën se ishte e kënaqur me vendimin për të ruajtur nivelin e prodhimit pavarësisht ngopjes së tregut dhe rënies së çmimeve.

“Tregu është ende në panik të madh. pasi të kemi kaluar panikun, atëherë çmimet e naftës me siguri do të stabilizohen në kuotën nga 60 deri në 80 dollarë për fuçi, në një afat të shkurtër”, ka deklaruar eksperti Amrita Sen.

Top Channel