Masat e Ministrisë së Ambientit kundër ndotjes së ajrit në Maqedoni nuk kanë dhënë rezultate. Matjet e fundit tregojnë se prania e grimcave të dëmshme PM10 në ajër vazhdon të jetë disa herë më e lartë se norma e lejuar.

Ministri i Ambientit, Nurhan Izairi ka shmangur përgjegjësinë për paaftësinë për t’u ballafaquar me këtë situatë, duke thënë se cilësia e ajrit varet nga vetë qytetarët.

“Varet nga të gjithë ne, si do sillemi me rekomandimet që kemi lëshuar. A do të ndihmoni ndotjen e ajrit me vetura, apo do t’i lini ato në shtëpi? Kjo varet nga ju. A plotësojnë veturat tuaja euro-standarde, kjo sërish varet nga ju e jo nga ministria. Nëse nuk i përdorni veturat do kemi më pak ndotje. Ndërsa cilësia e ajrit varet edhe nga mënyra sesi ngroheni”, deklaroi Izairi.

Sipas të dhënave zyrtare, Tetova është qyteti me ambientin më të ndotur në Maqedoni, ku prania e grimcave të dëmshme në ajër kalon me 10 herë kufirin e lejuar.

Banorët e Tetovës thonë se ndotja vjen kryesisht si rezultat i punës së një fabrike në afërsi të qytetit, që nuk plotëson standardet ekologjike.

Muajin e kaluar mijëra tetovarë protestuan kundër vendimit të qeverisë për t’i vazhduar lejen e punës fabrikës së Jugohromit, që llogaritet si ndotësi më i madh i qytetit.

Top Channel