Për ata që kanë hapur Facebook-un më 28 apo 29 nëntor, nuk mund të mos kenë vënë re një lloj të ri patriotizmi virtual, që ka pushtuar shumë llogari të rrjetit social.

Njerëz me flamuj, figura historike, foto të vjetra të heronjve të luftës, të gjitha të futura me informacionin specifik në profile të ndryshme.

Varja e flamurit në ballkon, tashmë është zëvendësuar me postimin e tij në murin e llogarisë së Facebook-ut. Rrugicat publike të zbukuruara, tashmë janë shndërruar në një hapësirë virtuale, ku çdokush mund të ketë akses, qoftë dhe nga një telefon inteligjent.

Mjafton një foto profili me flamur dhe pëlqimet apo komentet janë të siguruara. Faqe të tëra nuk kanë humbur kohë për t’u “ngjyrosur” kuqezi. Pa asnjë diskutim, ndërrimi i fotove të profilit nis disa ditë para festave, por kulmi arrin ditën e Çlirimit.

Numri i pëlqimeve shkon në qindra vetëm në pak minuta. Një gjë e tillë ka ndodhur dhe me foton e futur tre ditë më parë në Facebook nga Eda Peshku, e cila punon në Kinë si mësuese e anglishtes.

Fëmijët kinezë, duke bërë simbolin e shqiponjës, kanë marrë një numër të madh pëlqimesh, duke bërë në këtë mënyrë xhiron e rrjetit…Vajza mësuese, sigurisht që nuk e priste këtë efekt.

Top Channel