Don Winslow: Lufta kundër drogës, një mashtrim i madh

01/12/2014 00:00

Shkrimtari i njohur amerikan Don Winslow, i famshëm për romanet e tij që trajtojnë temën e drogës si “The Power of the Dog”, apo “Savages”, nuk ngurron të thotë se lufta ndaj narkotikëve është një mashtrim i madh.

Winslow ka qenë në ditët e fundit në Milano të Italisë për të promovuar librin e tij të fundit “Missing. New York”. Kolegu i tij italian, Fabio Volo e ka pyetur mbi ngjarjet e fundit të ndodhura në Meksikë, ku shumë studentë janë vrarë nga kartelet, por jo vetëm.

“Meksika përdor ushtrinë në përpjekje për të mposhtur trafikun e drogës, por për fat të keq edhe kartelet janë mjaft mirë të armatosura. Organizatat kriminale kanë shumë para dhe zotërojnë ushtrinë e tyre”, ka thënë Winslow.

“Problemi i drogës nuk ka të bëjë vetëm me Meksikën, por edhe me Amerikën dhe Evropën. Mendoj se lufta kundër drogës është një bllof, një mashtrim i madh, sepse në të vërtetë nuk luftohet ndaj drogës, por për drogën”, ka nënvizuar ai.

Sipas shkrimtarit, lufta kundër drogës bëhet duke investuar në arsim dhe në kulturë, pasi është pikërisht prej këtyre dy aspekteve që lind problemi.

Libri i tij i fundit, “Missing. New York” flet për fëmijët e zhdukur, një tjetër problem therrës sipas tij për Amerikën.

“Zhdukja e fëmijëve në Amerikë është një problem real. Llogaritet të zhduken rreth 50 mijë fëmijë çdo vit. Të shkruaja për këtë temë ishte një sfidë për mua. Mendova se vetëm me delikatesë dhe kujdes të madh do të mund t’ia dilja”, ka treguar më tej Winslow.

Top Channel