Mancini optimist: Kemi vullnet e dëshirë

01/12/2014 00:00

Pas atij barazimi 1-1 me Milanin dhe një paraqitjeje të mirë, Interi
zhgënjeu në përballjen me Romën, mbrëmjen e së dielës, ku u mposht me
meritë 4-2.

Zikaltërit barazuan dy herë, fillimisht me Ranokian e më pas me Osvaldon, por që të dy golat u zhvlerësuan pasi Roma shënoi dy herë me Pjaniç.

Por më shumë se sa rezultati, paraqitja duket se shqetëson më shumë trajnerin Mancini. Ndaj Romës dolën në pah mangësitë, sidomos në mbrojtje e cila asnjëherë nuk ishte në lartësinë e duhur për të ndalur Totin, Pjaniç dhe Zhervinjon.

Megjithatë, trajneri që u thërrit ngë Thohir për të zëvendësuar Valter Mazarin e shkarkuar shprehet optimist.

“E dija që nuk do të ishte fushë me lule. Ka probleme që do i zgjidhim një nga një. E rëndësishme është që djemtë kanë dëshirë të përmirësohen dhe të ndryshojnë diçka. Kjo është gjëja pozitive nga ndeshja e djeshme gjithë atyre gabimeve dhe vështirësive”, deklaron Mancini.

Në 13 javë, Interi ka grumbulluar vetëm 17 pikë, sa gjysma e Juventusit kryesues dhe mban vendin e 11-të me 4 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje.

Top Channel