“Topi i Artë”, Neuer i bashkangjitet dyshes Messi-Ronaldo

01/12/2014 00:00

Pretendentët për “Topin e Artë” të këtij viti, një vlerësim për lojtarin më të mirë të 2014-s, por edhe për Lojtaren më të Mirë femër të Vitit 2014, janë bërë tashmë zyrtare në faqet e internetit të FIFA-s dhe gazetës franceze “France Football”, por edhe në Youtube.

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë si gjithnjë këto vitet e fundit në vijën e parë për të fituar këtë trofe personal, por këtë herë në garë është futur edhe Manuel Neuer, portieri i Gjermanisë kampione bote në “Brazil 2014”, i cilësuar shpesh edhe si “mbrojtës” për shkak të daljeve të tij të sigurta nga porta. Sa u përket femrave, në garë janë Nadine Kessler e Gjermanisë, Marta e Brazilit dhe Abby Wambach e Shteteve të Bashkuara.

Janë zyrtarizuar gjithashtu edhe kandidatët për Trajnerin e Vitit, për meshkuj dhe për femra.

Carlo Ancelotti, tekniku italian i Realit të Madridit; Joachim Low, trajner i përfaqësueses gjermane që triumfoi në Brazil; si dhe Diego Simeone, argjentinasi i Atletico Madridit, janë trajnerët të cilësuar si më të suksesshmit e këtij viti, por vetëm njëri prej tyre do të ngrejë trofeun. Për femrat, janë në garë dy gjermane – Kellermann dhe Meinert – dhe një japoneze, Sasaki.

Të gjithë kandidatët janë konfirmuar pas një procesi votimi që u hap për kapitenët dhe trajnerët e ekipeve për meshkuj dhe për femra, klube apo kombëtare, të 209 Federatave anëtare, ashtu sikurse dhe për përfaqësuesit e mediave ndërkombëtare të përzgjedhura nga FIFA dhe “France Football” për të votuar.

Sa i përket formacionit më të mirë të vitit, “FIFA FIFPro World 11”, janë zyrtarizuar edhe 15 sulmuesit, që u bashkohen 5 portierëve, 20 mbrojtësve dhe 15 mesfushorëve.

Për çmimin e golit më të bukur “FIFA Puskas”, kandidatë janë goli i Stephanie Roche, më 20 tetor 2014 në Republikën e Irlandës, si dhe dy golat e famshëm të Botërorit të Brazilit, ai i James Rodriguez dhe ai i Robin van Persie, respektivisht në ndeshjet Kolumbi-Uruguaj dhe Spanjë-Holandë.

Të gjithë çmimet do të prezantohen në ceremoninë e vlerësimeve në “Kongresshaus” të Zyrihut, më 12 janar 2015, gjatë një “show” televiziv që do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në Fifa.com dhe në kanalin e FIFA-s në Youtube.

Top Channel