Kapet mirditori me eksploziv C4

01/12/2014 00:00

Policia e Vlorës arrestoi një 37-vjeçar nga Mirdita, në një operacion të koduar me emrin “Elizeja”.

Shtetasi Kastriot Prenga u ndalua nga uniformat blu pranë shkollës “Perla”, në zotërim të një valixheje me 21 njësi eksplozivi plastik, i ngjashëm me C4.

Sipas policisë, finalizimi i këtij operacioni u bë i mundur falë hetimeve dymujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, për një rrjet të mirëorganizuar që merret me trafikun e lëndëve eksplozive.

Lënda plasëse dyshohet se ishte siguruar në Mal të Zi dhe ishte trafikuar nga ky person për në Shqipëri.

Sipas hetuesve, një pjesë e saj do të shitej në vendin tonë për llogari të grupeve kriminale, ndërsa pjesa tjetër do të trafikohej në vendet fqinje.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se shtetasi Kastriot Prenga ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes me dashje.

Top Channel