A mund të bësh parà duke përdorur internetin?

01/12/2014 00:00

Ka shumë mënyra për të bërë parà online. Disa janë të ligjshme, e disa të tjera jo. Në botën virtuale të gjithë mund ta provojnë, por kjo kërkon njohuri, aftësi të veçanta dhe shumë durim.

Endrit Shalësi është një i ri nga Tirana, i cili e njeh mirë botën virtuale. Ai ka studiuar për Inxhinieri Informatike dhe është i ndërgjegjshëm për fuqinë e rrjetit. Por, si mund të bëhen konkretisht parà online në Shqipëri?

“Faktikisht ka disa mënyra. Ndër më populloret janë ato duke klikuar ose duke shkarkuar. Të them të vërtetën, këtu në Shqipëri nuk ka mënyra për të bërë parà ligjërisht. Pra mund të futesh në një faqe interneti, duhet të ndërrosh disa adresa, që ti të dukesh sikur je jashtë shtetit dhe pastaj të fillosh të bësh parà online. Gjithmonë duhet marrë parasysh edhe risku që këto kompani mund të të kapin dhe të të shkojë mundi dëm. Ka faqe interneti që paguajnë për të klikuar reklamat, në të cilat regjistrohen disa kompani për të bërë publicitete. Ti thjesht do i krijosh trafik këtyre kompanive”, thotë Endrit Shalësi.

Mjafton të kesh një kompjuter të lidhur në rrjet dhe të klikosh në faqet e duhura. Lundrimi të ofron shumë faqe interneti, të cilat të premtojnë parà të thjeshta, edhe pse askush nuk mund ta dijë me siguri nëse janë të sigurta.

“Duhet të rrish para kompjuterit gjithë ditën dhe sa më shumë ta bësh këtë, aq më shumë fiton. Problemi është që jo të gjithë kanë kohë për të qëndruar gjithë ditën online, ndaj dhe ka persona të caktuar që kapin punën dhe e shpërndajnë pastaj në persona të tjerë, të cilët mund të rrinë 8-10 orë në ditë vetëm duke klikuar, vetëm duke hapur faqe reklamash, dhe personi i parë që ka kapur punën i paguan këta me disa shuma qesharake. Ndërkohë, vetë ai mund të fitojë me mijëra dollarë. Sa më shumë të punosh, aq më shumë fiton, ndërsa ka shifra që arrijnë deri në 10 mijë dollarë në muaj, këtu në Shqipëri. Faqet e tyre, nëse nuk të kapin që ti po i mashtron, të paguajnë menjëherë”, shprehet Endrit Shalësi.

Shumat e fituara online në muaj variojnë. Disa mund të fitojne deri në mijëra euro në muaj… Mekanizmi i fitimit është i thjeshtë dhe praktik.

“Ky nuk është një biznes, por një mashtrim i madh. Është një punë nga shtëpia që po e kape është shumë mirë, por po nuk e kape sërish vazhdon me jetën e përditshme. Nuk ka aspak siguri, pasi është provuar se dikush që ka punuar për një kohë të gjatë, në momentin që mendon se do t’i marrë paratë, ato nuk të vijnë sepse të kërkohen forma të tilla identifikimi të cilat nuk mund t’i bësh. Transferimi i parave bëhet online, në një kompani ndërmjetëse që quhet “Paypal” dhe nga aty, ose i derdh në llogarinë tënde, ose i mban për t’i xhiruar sërish”, shpjegon Endrit Shalësi.

Padiskutim që të gjithë i duan paratë e lehta. Dilema e fitimit duket se është më shumë etike, pasi askush nuk mund ta disiplinojë Internetin, i cili i ngjan një qyteti kaotik, ku ka pak vend për ndërgjegjien, nëse bëhet fjalë për të fituar parà.

Top Channel