SIDA, sëmundja që të lë vetëm

01/12/2014 00:00

Edhe pas shumë vitesh që flitet për HIV/AIDS-in, në Shqipëri janë të paktë personat që e pranojnë publikisht sëmundjen dhe gjithë pasojat që ajo sjell në jetën e tyre. Jo në pak raste, “Pasdite në Top Channel” ka sjellë në vëmendje histori njerëzore, që kanë rrëfyer kalvarin që pason, pasi kanë mësuar se janë bartës të sëmundjes.

Diana, nëna e 3 fëmijëve, tregoi se pas diagnostikimit të bashkëshortit me HIV/AIDS në fund të jetës së tij, mësoi se ishte infektuar dhe vetë. Madje edhe fëmija i saj i tretë, djali pas dy vajzave, ishte bartës gjithashtu.

“Nuk mund ta përshkruash me fjalë se si ndihesh në ato momente. Sado që të shprehesh, fjala është e varfër krahasuar me atë që ndien në shpirt në ato momente. Efekti i parë ishte shokues. Shumë njerëz nuk thellohen që të mendojnë gjatë, por thjesht fakti që ti je një person HIV-Pozitiv, në atë moment që merresh vesh që je bartës, vlerat e tua si njeri marrin fund. Ti nuk vlerësohesh për atë çka je, por për atë çfarë ke”, shprehet Diana.

Prej 14 vjetësh kjo familje bashkëjeton me sëmundjen, edhe pse lajmin e kanë mësuar vetëm 7 vite më parë. Gjatë kësaj kohe nuk kanë ndryshuar shumë gjëra.

“Dua të vazhdoj të bëj një jetë të shëndetshme dhe cilësore bashkë me fëmijët e mi. Ky është synimi që unë i vë vetes dhe për të cilin përpiqem ditë pas dite”, shprehet më tej ajo.

Ata vijojnë të përballen me paragjykimet e të ndihen të përjashtuar, ndërsa përpiqen me forcë për një jetë normale. Ashtu siç nuk po ia del dot gjyshja, që po rrit 3 fëmijët jetimë të vajzës së saj, e cila është ndarë nga jeta një vit e gjysmë më parë, e diagnostikuar shumë vonë me HIV/AIDS.

“3 fëmijë nuk i mban dot në këmbë një nënë e një baba, jo unë që jam një gjyshe 64 vjeçe me 7 mijë lekë pension. Dua t’i ushqej sa më mirë, ngrihem që në 4 e gjysmë të mëngjesit për t’u gatuar me çfarë kam mundësi. I shtroj e i mbuloj dhe vetë shkoj e shes fara. S’kam çfarë të bëj në këtë moshë, me kaq fuqi sa kam, jam e skamur ekonomikisht, e vrarë shpirtërisht dhe e sëmurë”, thotë gjyshja e jetimëve.

Pas kësaj thirrjeje një vit më parë, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror e qytetit të Vlorës e ka ndjekur rastin çdo muaj dhe të tre fëmijët kanë fituar statusin e jetimit, e ndihmë financiare nëpërmjet pagesës së paaftësisë.

Sensibilizimi i bizneseve dhe organizatave jofitimprurëse kanë ofruar paketa në veshje, vajzat i marrin librat falas, etj. Edhe pse situata nga ana financiare ka ndryshuar disi, shqetësimi i gjyshes vijon të jetë i njëjti, si ai i një viti më parë.

“Po nesër kur të ndërroj unë jetë, ku do të shkojë djali?”, shprehet mes lotësh gjyshja.

Gjyshja tregon se askush nuk e do afër këtë fëmijë, as në pallat, e aq më pak në kopësht, ku prindërit e fëmijëve të tjerë kanë kërcënuar se do t’i largojnë të vegjlit, nëse 4-vjeçari bëhet pjesë e grupit.

Top Channel