Këshill emërimi për gjyqtarët e Lartë

01/12/2014 00:00

Një dokument prej 6 nenesh është propozimi i radhës nga mazhoranca për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e Lartë, një hap ky që pritet të ngrejë edhe më shumë temperaturën politike në vend.

Propozimet prekin jo vetëm kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë, por bëjnë detyrim ligjor ngritjen e një trupe këshillimore pranë presidentit, që do të quhet Këshilli për Emërimet.

Ky këshill është menduar të ketë në përbërje kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ministrin e Drejtësisë, prokurorin e përgjithshëm, nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë.

Ndryshimet propozojnë që të jetë kjo strukturë, e cila bën vlerësimin e kandidatëve dhe në bazë të raportit të saj, presidenti të bëjë përzgjedhjen.

Sipas propozuesve, qëllimi i ngritjes së kësaj trupe këshillimore pranë presidentit, me 7 anëtarë, përfaqësues të gjyqësorit, është të ulë ndikimin eventual politik në procesin e dekretimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Deri tani, mazhoranca i ka rrëzuar presidentit çdo dekret për Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar procesin jotransparent dhe shumë subjektiv, si dhe duke lënë ende tre vende vakante në këtë institucion.

Ligji për instancën më të lartë gjyqësore të vendit është pjesë e paketës për reformën në drejtësi dhe për këtë shkak, këto ndryshime mund të risjellin në skenë akuzat e opozitës, se ato po bëhen pa konsultimin e partnerëve ndërkombëtarë me qëllim uzurpimin e institucioneve të pavarura nga mazhoranca dhe kufizimin e kompetencave të presidentit.

Para pak ditësh, mazhoranca votoi edhe ngritjen e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, por këto ndryshime janë llogaritur të kalojnë me proçedurë normale parlamentare dhe jo si pjesë e paketës.

Hera e fundit kur ligji i Gjykatës së Lartë u ndryshua ishte 30 maji i vitit të kaluar dhe si një nga 3 kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat, ai u miratua me konsensus në Parlamentin e dominuar nga demokratët.

Top Channel