Selcka, fshati i Pandeli Sotirit në Lunxhëri

01/12/2014 00:00

Nga kthesa e Libohovës e më tej, rruga është më shume se e shkatërruar. Edhe një makinë e lartë duket sikur mezi merr frymë e rënkon nga gropat e shumta. Pas mbetet Suha, kthesa e Stegopulit dhe djathtas Labova e kryqit, ndërsa pamja shkrihet tej në grykën e Selckës.

Rreth 39 kilometra nga Gjirokastra dallohen shtëpitë e një fshati historik.

“Një pjesë e njohin si fshati i Pandeli Sotirit, rilindasit që dha shpirtin për gjuhën shqipe; të tjerë si pjesë e një zone me tradita të thella si Lunxhëria; të mbeturit si një fshat i largët nga Gjirokastra. Në realitet, Selcka i ka të treja: historinë, traditën, por edhe të sotmen, që e ka lënë mënjanë pa asnjë vëmendje serioze”.

Selckës, fati i dallohet lehtësisht, përmes lëvizjeve të vazhdueshme të popullsisë. Përpara viteve 1930 fshati kishte më se 90 shtëpi, me rreth 480 banorë. Në komunizëm numri ra në rreth 160 frymë; për të ardhur në kohët e sotme, ku kanë mbetur jo më shumë se 40 banorë. Një tkurrje e vazhdueshme, që duket se ia ka mpirë frymëmarrjet këtij fshati e gjithçka tjetër, më së shumti si pasojë e mungesës tërësore të infrastrukturës.

Banorët shpesh kanë hedhur nga paratë e tyre për të mirëmbajtur një aks, që në fakt është detyrim shtetëror. Kanë bërë ç’kanë mundur për të mbajtur fshatin gjallë, edhe pse shpesh kjo duket e pamundur.

“Po edhe ndonjë kujdesje e madhe nuk është. Kanë bërë ca gjëra, kemi rregulluar pak xhadenë ne si kryepleqësi e fshatit, kemi marrë ca lekë nga këto malet dhe i kemi hedhur atje. Gjëra të tilla. Kryesisht vetë i kemi hedhur, na ka ndihmuar edhe pak komuna, por pak gjë”, thotë Miho Goçi, banor i zonës.

Dikur fshati kishte bujqësi dhe blegtori të zhvilluar. Sot e para është zhdukur, ndërsa e dyta mbijeton me vështirësi.

“Ngurojnë të bëjnë diçka. E kanë të vështirë për ta shitur, sepse nuk vjen ajo e përpunimit të qumështit që ta marrë, se gjë tjetër nuk mund të bëjnë këtu. Në fillim, para shumë vjetësh por edhe në sistemin e mëparshëm, punonim si në bujqësi edhe në blegtori, të dyja ecnin barazi. Unë kam punuar shumë në bujqësi. Edhe deri në kufi me Poliçanin i kishim tokat, i ujisnim, prodhonim misër, grurë, fasule, madje merrnim edhe rendimente të larta. Por sot ky brez që mbetet, pleq dhe plaka, nuk kanë mundësi. Janë të tërë pensionistë, s’kanë mundësi që të punojnë”, shprehet Niko Bita, banor.

Vlerat i ka të rralla, çka mund ta dallosh jo thjesht te banorët, por edhe te shtëpitë e renditura me kujdes, tregues i një kulture të thellë e një pozite të lartë shoqërore. Te kalldrëmet, monumentet e kulturës e gjithçka tjetër, që mund të ketë një fshat, në të njëjtën kohë i hijshëm, e po ashtu i heshtur. Selcka të imponon respekt, mjafton të prekësh gurtësinë e saj.

“Asnjë investim, asnjë mbështetje, asgjë. Që kur ikën djemtë emigrantë, mbeti çdo gjë. Përpara kishte gjallëri se qenë me shumicë, çdo gjë më e rregullt. Kishim shkollën, kishim klubin, kishim të gjitha, ndërsa tani ka mbetur çdo gjë në heshtje”, thotë Themistokli Boçi, banor i Selckës.

“Kemi arritur kështu – si ta them unë, se mbase nuk shkon fare që ta them, – merre me mend vetë, një fshat që nuk dëgjon njeri gjatë ditës. Në darkë dhe në mëngjes mund të dalë dikush me bagëti, pastaj heshtje”, shprehet Leko Bita.

Në fshatin e Pandeli Sotirit, drejtorit të parë të Mësonjëtores shqipe të Korçës, nuk ka më një shkollë. Ajo i hapi dyert në 1918-n, por i mbylli në 2005-n, si pasojë e largimit të banorëve. As për doktor nuk bëhet fjalë, e po ashtu për ndonjë dyqan sado të vogël, për të blerë diçka.

“Tani ne kemi zgjidhur një rrugë duke komunikuar me një makinë, që vjen na furnizon një herë në javë nga qyteti. Ne i themi çfarë na duhen, bëjmë ndonjë porosi për diçka. Dikush ka fëmijën në qytet, në Gjirokastër, të cilët vijnë të shtunave ose të premteve pasdite. Por, po të ishte infrastruktura më e rregullt, kryesisht rruga, ata do vinin edhe më shpesh, edhe më tepër të tjerë. Mund të aktivizoheshin edhe disa biznese të vogla këtu në fshat; mund të mbaheshin dy tufa me blegtori, me bletë, me lopë, apo diçka tjetër, por rruga na i ha të gjitha këto, kështu që nuk i përballojmë dot. Rruga është kryesorja”, tregon Dhimitër Baçi.

Në krye të fshatit, kroi i madh i Selckës; një monument i rrallë, i cili rrezikon të bjerë si pasojë e mosndërhyrjes. Sipër tij, një ndër dy kishat e fshatit, e cila është grabitur plot 3 herë. Fillimisht iu rrëmbye kambana, i vetmi objekt që u rigjet; më pas 29 ikona u zhdukën e nuk dihen se ku përfunduan. Së fundmi edhe ikonostasi, që jo vetëm u mor, por edhe u shkatërrua si pasojë e dhunës barbare. Kisha e 1754-ës duket krejtësisht e pambrojtur.

Në qendër të fshatit duken rrënojat e shtëpisë së Pandeli Sotirit. Të vetmen dorë për të ruajtur atë që kish mbetur, e për të treguar se nuk ishin thjesht një grumbuj gurësh pa vlerë, e ka vënë shoqata “Lunxhëria” përmes një pllakate, që tregon se rilindasi ka lindur këtu. Pandeli Sotiri sfidoi osmanët, grekët, presionet e izolimin e tyre, me dëshirën për të ruajtur e pasuar gjuhën shqipe, pa ditur se në një të ardhme fshati i tij do të harrohej e braktisej, sikur të mos kish asnjë vlerë.

“Kemi mendimin që në çdo fshat, ku këta personalitete kanë themelet, duhet të ngrihen shtëpitë e tyre, duhet të bëhen shtëpi muze për fshatin dhe për krahinën. Si të ketë këto gërmadha shtëpia e Pandeli Sotirit; si të jetë kthyer në një gërmadhë shtëpia e Koto Hoxhit në Qestorat; si t’i merren edhe gurët shtëpisë së Urani Rumbos në Stegopul; apo të Petro Pogës në Erind. Nuk e dimë çdo bëhet, por shpresojmë më e mira”, thotë Koço Vasili, kryetar i shoqatës “Lunxhëria”.

Në pjesën e poshtme, kisha tjetër mbahet me vështirësi. Banorë të paktë ikin e vijnë, shtëpitë shkrihen me majat e maleve, ndërsa koha shkon pa rreshtur mbi to… Selcka duket e fjetur, e megjithatë jo e humbur. Banorët janë aty, e po ashtu edhe shpresa e tyre që diçka do të ndryshojë, përpara se fshati të braktiset plotësisht.

Top Channel