Zgjedhjet në PD, Marku: U ruajt e njëjta ‘status quo’

01/12/2014 00:00

Partia Demokratike përmbylli të dielën procesin zgjedhor, ndërkohë që të hënën pasdite kryetari Lulzim Basha ka mbledhur për herë të parë kryesinë e re. Për të diskutuar për stadin e ri ku ndodhet opozita i ftuar në studion e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte Mark Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike, publicist dhe analist i zhvillimeve politike.

Ilir Paço: Rreth një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Demokratike ka mbyllur procesin e ripërtëritjes dhe nga e diela kemi një ekip të ri të plotë drejtues. Si e shihni procesin që u zhvillua?

Mark Marku, ish-deputet i PD:
Jam dakort që procesi ka qenë legjitim, në kuptimin që strukturat janë legjitimuar me zgjedhje dhe këtu nuk ka diskutim. Por ka dy-tre probleme që dalin pas analizës së procesit. E para duket që në PD, gjithë ky proces është bërë në ruajtje të ‘status quo’-së pa bërë një ndryshim rrënjësor që do reflektonte nevojat për të krijuar një opozitë të re. PD ka patur sukses në kuptimin që PD nuk është tronditur shumë, nuk është përcarë shumë, por nuk shikojmë tek ekipi i ri mishërim të nevojave dhe rivitalizim të partisë për t’iu përshtatur situatës.

Ilir Paço: Mes emrave që mungojnë janë ata që kanë qenë në drejtim nga ish-kryetari i PD dhe nënkryetarët apo disa anëtarë të tjerë të kryesisë së vjetër, ndërkohë që kemi edhe prurje të reja, që në disa raste kanë ngjallur edhe debate rreth tyre për çështje të ndryshme dhe për kontributin e tyre. Një koment i juaji për ata që nuk janë dhe të rinjtë që kanë ardhur.

Mark Marku: Ka prurje të reja, por problemi është pak i dyshimtë sepse lind pyetja sa të reja janë prurjet e reja? Duhet parë nëse kemi një zëvendësim mekanik të një elite politike që është konsumuar dhe zëvendësuar me figura të reja, apo zëvendësim mekanik, ku disa figura të konsumuara largohen dhe vijnë disa figura që…por shpresojmë të sjellin frymën e re. Kodi erdhi nga një nevojë për ta rinovuar PD. Shihet që ata që  vijnë, mënyra se si reagojnë me strukturën politike, në përgjithësi ata që vijnë i nënshtrohen partisë. Unë mendoj se PD më shumë se sa për të shtuar radhët, ka nevojë për një grup që të sjellë një frymë të re. Mbetet për t’u parë, ndoshta një pjesë e  tyre do të bëjnë atë që në traditën e PD nuk ka ndodhur, por më shumë grupet i janë përshtatur PD.

Ilir Paço: Aktualisht, prej disa muajsh PD po e zhvillon aksionin politik jashtë Kuvendit që kulmoi me protestën e 22 nëntorit. Si e shihni strategjinë politike të zgjedhur, nisur edhe nga fakti që shume shpejt PD duhet të marrë një vendim përfundimtar lidhur me bojkotin ndaj parlamentit?

Mark Marku: Mendoj që nuk ka asnjë arsye që PD të jetë jashtë parlamentit. Nga pikëpamja politike mendoj që është PD ajo që humb. Karakteristikë e partive që braktisin institucionet është se janë parti kontestuese, parti që nuk synojnë pushtetin. Partitë si në rastin e PD që është partia kryesore opozitare duhet të kenë disa regjistra të aksionit të tyre politik dhe lufta parlamentare është kryesorja. Fuqia protestuese duhet, por mendoj se këtij vendi i duhet një opozitë në institucione dhe më pas në sheshe e rrugë. Gjëja më pozitive ka qenë organizimi i protestës së suksesshme me një pjesëmarrje masive, që ka frymë opozitarizmi që zgjerohet akoma më shumë. Opozita të artikulojë jo vetëm duke nxjerrë njerëzit në shesh, por këtë energji opozitare ta shndërrojë atje ku ka vendin e vet. Protestat janë të domosdoshme, por nuk justifikohet këtu pjesëmarrja parlamentare. Jashtë parlamentit humb atë rolin e vet si opozitë në Shqipëri.

Top Channel