Apeli rrëzon dënimin e Dritan Dajtit

01/12/2014 00:00

Katër muaj pas verdiktit, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ktheu sërish Dritan Dajtin që të rigjykohet në shkallën e parë. Jo zyrtarisht thuhet se shkaqet lidhen me shklejet proçeduriale.

Anëtarët e trupës gjyqësore, të pyetur me telefon, thanë për Top Channel se një ndër shkaqet kryesore është mugesa e avokatit mbrojtës gjatë procesit. Por ka edhe argumnete të tjera që lidhen me vendin e krimit, që do të zbardhen ditëve në vijim.

Gjatë të gjithë gjyqit në shkallën e parë, madje edhe para dhënies së vendimit, Dritan Dajti refuzoi të merrte një avokat personal, por edhe avokatët e shtetit nuk pranonin ta mbronin, ndaj dhënia e verdiktit u pa si një përpjekje për ta larguar këtë dosje nga sirtarët.

Në vartësi të asaj që kanë gjetur si shkelje gjyqtarët e Apelit për Krimet e Rënda në dosjen “Dajti” pritet të bëjë lëvizjet e saj edhe prokuroria.

Janë dy opsione: më i mundshmi është që prokuroria t’i drejtohet me rekurs Gjykatës së Lartë; opsioni i dytë, për të mos rrezikuar afatet është çelja e rigjykimit në shkallën e parë për Krimet e Rënda.

I pandehuri Dajti nuk përfiton lirinë nga përfundimi i afateve, pasi po vuan një dënim të mëparshëm për një ngjarje tjetër. Për gjashtë vjet me radhë i pandehuri Dajti, ish-student i Faktultetit të Drejtësisë ku duket se ka marrë njohuri të mjaftueshme se si mund të manovrohet me boshllëqet ligjore, e ka vendosur gjyqësorin në pozita të vështira e në disa raste edhe KDL-në, si edhe tre ministra Drejtësie.

Procesi ndaj tij u kthye në një serial pa fund që eci përmes 278 seancave, por krijoi edhe preçedentin e mosgjetjes së një avokati, si dhe pati edhe gjyqtarë të kërcënuar, disa prej të cilëve gjatë atij gjykimi u morën në mbrojtje.

44-vjeçari, i shpallur fajtor nga shkalla e parë për vrasjen e katër oficerëve të polcisë, me justifikimin se nuk kishte forcë ekonomike të përballonte një mbrojtës vuri në lëvizje të gjitha autoritetet e drejtësisë për gjetjen e një avokati kryesisht, të cilët edhe pse shënonin radhë të gjata në listën kryesisht, asnjë prej tyre nuk e mori përsipër që ta përfaqësonte.

Top Channel