Doda: “Dosjet”, çfarë përmban projektligji

01/12/2014 00:00

Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike që dorëzoi sot në Kuvend ligjin për “dosjet”, në një intervistë për Top Channel ka shpjeguar se çfarë përmban drafti dhe si do të veprojë lustracioni mbi zyrtarët që rezultojnë të prekur.

Zonja Doda iu përgjigj edhe akuzave të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, duke thënë se ky ligj është një nismë që i shërben edhe vet Partisë Demokratike dhe së djathtës.

TCH: Zonja Doda, sot ju, së bashku me zotin Idrizi, depozituat në Kuvend projektligjin për hapjen e dosjeve, çfarë përmban ky projektligj?

Mesila Doda, deputete e PD: Projektligji, siç e thatë edhe ju, ka të bëjë me pjesën e hapjes së dosjeve, por pasohet edhe me pjesën e lustracionit, ose me largimin e personave që i kanë shërbyer diktaturës në role të ndryshme, si funksionarë të lartë të partisë, leva të këtyre funksionarëve siç quhej dikur, apo edhe sigurimit të shtetit, qysh me krijimin e tij e deri në fund, për të parë aktivitetin e tyre përgjatë kohës, pra janë disa kategori që përfshihen brenda këtij projektligji. Mbi të gjitha janë trajtuar të gjithë personat që janë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të cilët nuk mund të vazhdojnë të kenë veprimtari të tyre në këto funksione të parashikuara në ligj, duke qenë se kanë një të kaluar problematike në aktivitetin e tyre si për sigurimin e shtetit, ashtu dhe në pozicionet e larta të Partisë së Punës.

TCH: Veç hapjes së dosjeve, si do të procedohet me lustracionin e figurave që janë pjesë e politikës?

Mesila Doda: Për personat, të cilët janë pjesë e politikës, sigurisht që do të pritet fundi i mandatit të tyre kushtetues, sepse kjo ka qenë edhe një nga vërejtjet që Gjykata Kushtetuese ka bërë rreth 3 vite më parë kur e ka hedhur poshtë ligjin. Kjo ka të bëjë me gjetjen e të gjithë bazës së veprimtarisë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i kanë futur brenda këtij rrjeti, të cilët edhe mund t’i kenë kërcënuar këta persona. Kush është pjesa më e rëndësishme? Unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është të flasim për historinë me një zë të vetëm, të argumenteve që na ofrohen nga aktiviteti i dikurshëm i zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, por edhe i mjeteve të dhunës që regjimi kishte në atë kohë. Në këto raste, dosjet e personave që kanë bashkëpunuar apo kanë pasur rol të veçantë në mjetet e dhunës do të bëhen publike. Ka edhe një nen, ku thuhet se, nëse këta persona do të japin dorëheqjen, do të evitohet pjesa e bërjes publike të dosjes, por kjo është diçka që mbetet në vlerësimin e parlamentarëve. Ky është vetëm hapi i parë, pasi ky është një proces relativisht i gjatë deri në miratimin e ligjit.

TCH: Po punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetin a mund të jenë pjesë e administratës publike?

Mesila Doda: Preken të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, kushtetuese dhe të pavarura dhe kjo për disa arsye. Së pari, personat të cilët kanë veprimtari që kanë dëmtuar qënie të tjera njerëzore nuk mund të kenë moralin që të vazhdojnë t’i shërbejnë shtetit shqiptar. Këtë persona janë lehtësisht të shantazhueshëm, ky është një moment që duhet t’i shikojmë të vërtetat në sy dhe të mos flasim me hamendje, por me fakte.

TCH: Ku ndryshon projektligji i depozituar gjatë ditës së sotme nga ai i depozituar para tre vitesh?

Mesila Doda:
Janë respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me mosprerjen automatike të mandatit. Dua të theksoj edhe një herë, kjo nuk është iniciativë e politikës, nuk është iniciativë e imja, kjo është një punë që është bërë për më shumë se sa tre vite nga grupi shqiptar për të Drejtat e Njeriut, është mbështetur nga studentët e Dhjetorit, pjesë e të cilëve unë jam. Unë do të mbështes çdo iniciativë që ka të bëjë me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare dhe kjo është edhe arsyeja e pjesëmarrjes së zotit Idrizi në këtë nismë, me qëllim që të bëjmë diçka të mirë për të djathtën shqiptarë, por mbi të gjitha për rishkrimin e së vërtetës.

TCH: Cili deputet ju ka mbështetur deri tani në këtë nismë?

Mesila Doda: Ka disa deputetë të tjerë të djathtë, të cilët janë shprehur bashkëpunues dhe besoj në ditët në vazhdim do të kemi edhe firmosje të tjera. Unë i ftoj të gjithë kolegët e mi, të gjithë atë që duan të bëjnë një gjë të mirë për vendin, te protokolli i kuvendit e kanë të hapur listën.

TCH: Po deputetë të majtë a ka pasur?

Mesila Doda: Deri tani jo. Madje, sot fola me njëri prej tyre dhe më tha se nuk jam i interesuar për këtë çështje. Ndërkohë që nisma për të cilën ka folur Kryeministri Rama para dy javësh është një nismë e përgatitur në mënyrë gjysmake sepse nuk e përfshin procesin e lustracionin, kjo do ta dëmtonte përfundimisht këtë proces. Këto njerëz, të cilët sot nuk kanë as kurajën t’i kërkojnë falje viktimave, duhet të marrin përgjegjësitë e asaj çfarë kanë bërë.

TCH: Zoti Klosi ka deklaruar para pak kohësh se një pjesë e dosjeve janë dëmtuar ose kanë humbur. Cili është komenti juaj?

Mesila Doda:
Nëse zoti Klosi flet për aktivitetin e tij të dikurshëm, atëherë do të duhet të mbajë përgjegjësi nëse janë dëmtuar dosjet në kohën e tij. Personat, të cilët kanë qenë të interesuar, thonë se dosjet janë në më shumë sesa një vend, me kontrolle të kryqëzuara.

TCH: Si do të ndiheshit ju nëse do të dilnin emra të Partisë Demokratike të përfshirë?

Mesila Doda: Unë besoj që ligji nuk bëhet për një person të vetëm, besoj që ligji bëhet për të sjellë një standard më të mirë. Çdo person i përfshirë brenda kësaj duhet t’i bëjë llogaritë me veten. Edhe komunist edhe antikomunist, edhe bashkëpunëtor të Sigurimit edhe parimor nuk e bëjmë dot veten. Së pari, duhet të jemi të sinqertë me veten tonë ne dhe më pas me zgjedhësit tanë. E djathta ka nevojë për këtë moment reflektimi.

TCH: Si janë marrëdhëniet tuaja me Partinë Demokratike, pasi sot Edi Paloka, kryetar i grupit parlamentar të PD-së dhe nënkryetar i kësaj force politike, ka deklaruar se “hapja e dosjeve nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit, sot në qeveri, dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre”, duke iu cilësuar juve si marionetë?

Mesila Doda: E para, debate të tilla nuk kanë asnjë vlerë për sa na zhvendosin nga thelbi. Thelbi është që ky ligj do të duhet të funksionojë me të gjitha mënyrat dhe me të gjitha kushtet sepse është një iniciativë e mirë, mbi të gjitha për shqiptarët, por edhe për të djathtën. E dyta, më lejoni të mos komentoj mbi komentet e të tjerëve sepse nuk ka asnjë vlerë të komentoj mbi to. Një nga gjerat e mira që do të bëjë ky ligj është se do të sjellë një mentalitet të ri mes politikanëve shqiptarë dhe gjuha e përdorur të jeta ajo e një mentaliteti më të madh. Besoj që një gjuhë me e dashur me njëri tjetrin do të na bënte mirë. Mbi të gjitha, të hapim sytë dhe të shohim të vërtetën. Ne jemi klasa që kemi ardhur nga një përmbysje e madhe e diktaturës komuniste dhe nuk duhet të lëmë që këto duhet të jenë iniciativa që i marrin njerëzit, të cilët po promovojnë figurën e Enver Hoxhës. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe e jona dhe të gjitha palët duhet ta marrin këtë përgjegjësi.

TCH: Duke thyer bojkotin, a i druheni ndonjë ndëshkimi?  

Mesila Doda: Po flasim për një ligj që ka lidhje me kohën e diktaturës dhe për të folur për një mentalitet kundër diktaturës. Nuk po flasim për të nxitur mënyra të reja komportimi (sjelljeje) të cilat nuk kanë lidhje me vitin 2014, të paktën jo mes demokratëve. Unë kam treguar gjithmonë një dimension lirie në jetën time, që në moshën 20-vjeçare. Një njeri që me të mbushur të 20-at futet në një grevë urie kundër Enver Hoxhës, dhe në atë rast kam qenë bashkë me shumë kolegë të mi që janë sot në grupin parlamentar. Nuk ka përse të kenë frikë në vitin 2014, duke bërë një punë të cilën demokratët e përgëzojnë nga mëngjesi e deri në darkë. Jam zëri i tyre, u kam premtuar përpara 4 vjetësh se do të merrem deri në fund me këtë proces e me këtë ligj. Do të vazhdoj të mbetem pranë tyre me të gjitha mënyrat. Tek e fundit, herët apo vonë, veprimet pozitive vlerësohen.

Top Channel