Superiore, Flamurtari rikthehet te fitorja

01/12/2014 00:00

Flamurtari mundi 2-0 Elbasanin, duke regjistruar fitoren e parë pas 8 javësh në Kategorinë Superiore dhe njëkohësisht të parën për italianin Ramela, si trajneri i skuadrës vlonjate.

Pas një 45-minutëshi të parë të vakët, vlonjatët kaluan në avantazh me fillimin e pjesës së dytë. Mendez përfitoi nga një rrëmujë në zonën e skuadrës mike dhe shënoi golin e tij të parë me fanelën e Flamurtarit.

Pas këtij momenti, loja u bë më e hapur, pasi të dyja skuadrat kërkuan t’i shënonin njëra-tjetrës. Por vlonjatët u treguan më të saktë, duke shënuar dhe golin e dytë me Abilaliajn dhe duke vulosur fitoren e katërt gjatë këtij sezoni.

Tashmë ekipi i drejtuar nga italiani Ramela ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Elbasani vazhdon të ruajë vendin e fundit në klasifikim.

Top Channel