SIDA, shtohet numri i të prekurve

01/12/2014 00:00

Ndonëse Shqipëria ka një prevalencë të ulët të infeksionit HIV/AIDS vihet re një tendencë në rritje e rasteve të reja. Vetëm në vitin 2014 janë shënuar 75 raste të reja.

Ajo që është më shqetësuese është diagnostikimi i vonshëm në stadin AIDS, si dhe transmetimi vertikal nga nëna tek fëmija. Këtë vit janë infektuar 5 fëmijë.

“Nëse i referohemi vitit 2014 kemi 75 raste të personave të prekur, në total janë 774 raste dhe shifra më alarmante është se kanë humbur jetën 144 persona. Nga 22 shtatori kemi organizuar një sërë aktivitetesh, ku në fokus ka qenë grupmosha e të rinjve nga 14 në 18 vjeç. Kanë qenë aktivitete informuese dhe edukuese”, tregon Marsela Allmuça, nga Qendra e Studimeve Socio-Mjekësore.

Aktualisht në vendin tonë janë 543 meshkuj të infektuar me HIV/AIDS, 231 femra dhe 39 fëmijë. Por mjekët ngrenë me shqetësim nivelin e ulët të testimit vullnetar pasi shumë nga gratë mësojnë se janë të prekura vetëm pas lindjes.

Pavarësisht suksesit të terapisë me anti-retrovirale, vetëm gjatë vitit 2014 janë raportuar 7 humbje jete me AIDS.

“Me standardet aktuale asnjë i infektuar nuk duhet të vdesë, por të jetojë një jetë të shëndetshme dhe cilësore, por gjithmonë nën kujdesje. Numri i testimeve në Shqipëri është shumë i ulët. Sot nuk skanohen gratë shtatëzëna, për të bërë të mundur identifikimin dhe parandalimin e kalimit të virusit tek fëmija. Janë 5 raste të reja, shifër që për Shqipërinë është alarmante”, deklaron Arjan Harxhi, mjek infeksionist në QSUT.

Rruga seksuale e transmetimit të HIV-it vazhdon të predominojë në vendin tonë. Në ditën ndërkombëtare të luftës ndaj HIV/AIDS janë zhvilluar fushata ndërgjegjësimi për të rinjtë duke i informuar për kujdesin që duhet të kenë gjatë marrëdhënieve seksuale.

Ndonëse nuk ka statistika të sakta, është rritur numri i meshkujve që kryejnë marrëdhënie me meshkuj, duke i bërë ata një grup të rëndësishëm risku.

Top Channel