Rusia anulon projektin “Rrjedha e Jugut”

02/12/2014 00:00

Rusia do të ndërpresë realizimin e projektit të
gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”, i cili parashikonte të
transportonte mbi 60 miliardë metër kub gaz çdo vit, nga Deti i Zi drejt
Europës jugore, duke anashkaluar Ukrainën, e cila tashmë mbledh tarifat
e transportimit të gazit përmes gazsjellësve masivë nga kufiri i saj me
Rusinë drejt Europës.

“Duke pasur parasysh faktin se deri tani ne nuk kemi marrë leje nga Bullgaria, besojmë se në kushtet aktuale Rusia nuk mund të vazhdojë me realizimin e këtij projekti”, deklaroi presidenti Vladimir Putin.

Këtë deklaratë shefi i Kremlinit e bëri nga Ankaraja, prej nga shtoi se Rusia do të bashkëpunojë me Turqinë për ndërtimin e një shpërndarësi gazi për Europën Lindore.

Putin dhe homologu i tij Erdogan nënshkruan një seri marrëveshjesh
të rëndësishme tregtare dhe në fushën e energjisë, duke lënë
pas mosmarrëveshjet mbi krizën në Ukrainë dhe situatën e rënduar në
Siri.

Presidenti i Rusisë tha gjatë konferencës së përbashkët për
shtyp se Moska do të ulë çmimin e gazit për Turqinë me 6%,
duke filluar që prej vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ai tha
se Rusia do të shtojë sasinë e gazit drejt Turqisë me 3 miliardë metër
kub.

Krerët e dy shteteve ranë dakord të zgjerojnë ndjeshëm tregtinë e dypalëshe nga 33 miliardë dollarë në 100 miliardë dollarë nga viti 2020.

Rusia është furnizuesi kryesor i gazit për Turqinë dhe është e vendosur edhe për ndërtimin e centralit të parë bërthamor në Turqi. Nga ana tjetër, firmat turke të ndërtimit janë aktive në Rusi, ndërsa me miliona turistë rusë udhëtojnë çdo vit në Turqi.

Mbi krizën në Ukrainë dhe situatën e rënduar në Siri, dy shtetet kanë qëndrime krejtësisht të kundërta. Rusia mbështet qeverinë e Bashar al-Assad, ndërsa Turqia forcat opozitare të Sirisë.

Edhe për krizën në Ukrainë, Turqia është një kundërshtare e Rusisë, duke mbështetur integritetin territorial të ish-vendit sovietik. Por duket se këto dallime nuk i kanë penguar dy liderët të arrijnë marrëveshjet.

Top Channel